Transmetuar më 22-07-2020, 08:49
Elmaz Sherifi

Dy mazhorancat si përfaqësueset e vetme të sovranit nënshkruan “marrëveshjen e shpëtimit” të demokracisë në Shqipëri, për të ndryshuar kushtetutën e Shqipërisë e cila është miratuar me Referendum e është bërë si “letër higjienike”…

Nga Elmaz Sherifi

Përfaqësuesit e dy mazhorancave parlamentare të përfshira nga emocionet, dje, një e nga një jepnin lajmin e madh, se kishin arritur të bindnin njëra-tjetrën për të nënshkruar “marrëveshjen e shpëtimit” të shqiptarëve.

Shqiptarët i kanë konsideruar si subjekte humori. Por duket që kanë gabuar. Madje edhe ndërkombëtarët që imponuan marrëveshjen e 5 qershorit, duhet të ndryshojnë mendim e sjellje për të dy mazhorancat tona mendje hapura.

Dy mazhorancat si përfaqësuese të sovranit, vendosën njëzëri, se nuk i njohin 15 kushtet e vendosura nga BE, si kusht për organizimin e Konferencës Ndërqeveritare.

Dy mazhorancat nuk e njohin marrëveshjen e 5 qershorit, por, për t’i bërë qejfin Ambasadores Kim, do e miratojnë formalisht më 23 korrik dhe do e anulojnë më 30 korrik.

Dy mazhorancat si përfaqësueset e vetme të sovranit nënshkruan “marrëveshjen e shpëtimit” të demokracisë në Shqipëri, për të ndryshuar kushtetutën e Shqipërisë e cila është miratuar me Referendum e është bërë si “letër higjienike”!

Dy mazhorancat e marrin këtë vendim të rëndësishëm me shumë sakrifica, për të shpëtuar filozofinë sureliste të së drejtës nga humbja e pushtetit.

Prandaj me një zë, të dy mazhorancat vendosën t’u heqin partive të drejtën kushtetuese për të bërë marrëveshje parazgjedhore dhe të krijohen “listat e përdredhura”, që filozofi surelist i së drejtës të vendosë në krye të listës ata që dëshiron, të cilët vendosën nga kryetari e nuk mund të votohen nga populli, por popullit i jepet e drejta të votojë, nga “mesi e poshtë”!

Lum si populli për këta shpëtimtarë, që zbuluan sistemin qeverisës, pa opozitë!