Transmetuar më 22-07-2020, 10:29

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, thotë se populli i Kosovës vijon të ketë besim në drejtësinë ndërkombëtare.

Ky mesazh i tij vjen pak ditë pasi u thirr në Prokurorinë speciale të Hagës, i akuzuar për krime lufte dhe në ditën kur shënohet 10-vjetori i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Me anë të një mesazhi në rrjetet sociale, ai thotë se sot u bënë 10 vjet kur u vulos përfundimisht subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit të ri të Kosovës.

Ai shprehet se asnjëherë populli nuk kishte dyshime për të drejtën historike, për të jetuar të lirë në vendin e tyre, të pavarur dhe sovran.

“Serbia pas humbjes së luftës në Kosovë, duke mos u pajtuar me këtë fakt, kishte vendosur ta dërgonte rastin e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne, populli ynë, gjithmonë i kemi besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër faktit që ende nuk kemi drejtësi për gjenocidin e shtetit të Serbisë të kryer mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë. I kemi besuar dhe vazhdojmë t’i besojmë drejtësisë ndërkombëtare, sepse gjithmonë ishim dhe vazhdojmë të jemi në të drejtën tonë”, shkruan Thaçi. /a.y/noa.al