Transmetuar më 22-07-2020, 14:39

Një histori dashurie e cila i reziston pandemisë së koronavirusit dhe kapërcen edhe mbylljen e kufijve. Norvegjezja Camilla Oyjord dhe suedezi Alexander Clern, arritën që të martohen në kufi në dy shtetet e tyre, duke ruajtur distancat e sigurisë.

Suedia në dallim nga fqinjët e saj, ka marrë masa më të lehta për epideminë, duke i besuar përgjegjshmërisë së qytetarëve dhe kësisoj duke mos mbyllur shkollat, lokalet dhe dyqanet.

Por kjo zgjedhje çoi në një numë infektimesh shumë më të lartë se në vendet e tjera skandinave, të cilat në muajin qershor i rihapën kufijtë, por jo me Suedinë.

Ideja e martesës i erdhi nuses për shaka, por iu pëlqeu edhe familjarëve dhe miqve, duke bërë që çifti të martohet në kufi mes dy vendeve, në një zonë pyjore, në rajonin e Holebekk.

Ishte një shirit i bardhë ai që i ndante, ndërkohë që dëshmitarët dhe të ftuarit ruanin distanca e sigurisë, ndërkohë që dy policë kontrollonin që të mos kishte kapërcim kufijsh.

“Nuk donim që të ndryshonim datën. Donim të ishim burrë dhe grua dhe dashura fiton mbi gjithçka”, tha Camilla për BBC. /a.y/noa.al