Transmetuar më 22-07-2020, 16:46

Robert Ndrenika, ikona e filmit dhe e Teatrit Kombëtar, ka shprehur mbështetjen e tij për ndërtimin e teatrit të ri, me një falënderim për "Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partinë Demokratike"

Ndrenika ka falenderuar veçanërisht PD-në dhe Aleancën, "sepse gjatë gjithë kohës që unë pashë këto skica si edhe projektin e teatrit të ri, pata parasysh vërejtjet dhe sugjerimet që kanë bërë Aleanca dhe PD-ja, duke dashur që në projekt, të jenë të pasqyruara të gjitha vërejtjet e tyre për teatrin".

Përmes kontestimeve dhe sherreve që prodhoi prishja e godinës së Teatrit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se në muajin shtator nis puna për ndërtimin e godinës së re.

Projekti është gati me kohë, ndërsa duket se janë siguruar edhe paratë, për ndërtimin e godinës së re,

Robert Ndrenika, aktori i madh i filmit dhe teatrit,  thotë se është njohur me projektin e godinës së re pasi e kanë thirrur në zyrë, regjisori Altin Basha, si dhe drejtori i teatrit, Hervin Çuli.

Ai konfirmoi se në të gjithë territorin e teatrit, në asnjë centimetër të tij, nuk do të ketë ndërtime të tjera dhe as kulla.

Robert Ndrenika, i kritikuar përse nuk reagoi në prishjen e godinës së vjetër, thekson se në këtë projekt janë të pasqyruara të gjithë kërkesat e komunitetit të artistëve.

“Falenderim! Dje më thirrën regjisori Altin Basha, drejtori i teatrit, Hervin Çuli dhe inxhinier Bejleri, në një zyrë arkitekture dhe pashë skicat dhe projektin e ndërtimit të teatrit të ri. U kënaqa shumë. Me këtë rast dua të bëj një falënderim (për dijeni edhe të mikes sime, gazetares Fatmira Nikolli) dua të falënderoj Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partinë Demokratike, sepse gjatë gjithë kohës që unë pashë këto skica si edhe projektin e teatrit të ri, pata parasysh vërejtjet dhe sugjerimet që kanë bërë Aleanca dhe PD-ja, duke dashur që në projekt, të jenë të pasqyruara të gjitha vërejtjet e tyre për teatrin", tha Ndrenika.

"Të gjitha këto vërejtje i gjeta të rregulluara në projektin e teatrit të ri. Për shembull, në të gjithë territorin e teatrit, në asnjë centimetër të tij, nuk do të ketë ndërtime të tjera dhe as kulla. I gjeta të pasqyruara në atë projekt të gjitha kërkesat e tyre përveç njërës ‘që teatri do bëhet, aty ku ishte, por do bëhet shumë herë më i mirë nga sa ishte’. Teatri i ri, do të jetë me kushte bashkëkohore si shumë teatro europianë", u shpreh në mesazhin e tij aktori i madh Robert Ndrenika.

/NOA.al