Transmetuar më 25-07-2020, 18:56

Zëvendësministri i Bujqësisë, Roland Kristo deklaroi se sektori që shënoi rritje gjatë periudhës së vështirë të pandemisë ishte pikërisht peshkimi.

Por ai shtoi se ndër sektorët më të goditur ishte agrokultura.

Kristo pretendoi se pavarësisht kësaj, në këtë sektor mungon krahu i punës edhe pse rrogat janë mbi 1 mijë euro, pagë kjo e pazakontë për vendin tonë.

“Pandemia do të vazhdojë. Për industrinë përpunuese, unë e shoh shumë të mirë, me perspektivë".

"Rritja që pësoi kjo industri gjatë muajit maj, ishte për faktin se shumë kompani botërore patën bllokim dhe produktet shqiptare çanë Evropën" – tha ai.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News24” ai shtoi se "shumë subjekte sot kanë marinarë të huaj, që paguhen minimalisht 1000-1500 mijë euro në muaj".

Ai tha se nga kërkesat në rritje për prodhimet e detit, është rritur edhe kërkesa për fuqi punëtore. "Ata kanë parë produktet shqiptare dhe po vijnë, kështu që dhe ne po rrisim kapacitetet, ndaj dhe kjo është me perspektivë".

"Ajo që më vë në vështirësi është fakti se shpeshherë nuk gjenden krah pune, të mendosh se dhe rrogat nuk janë të vogla", u shpreh Zëvendësministri i Bujqësisë, Roland Kristo.

Sipas tij, kjo ndodh "për shkak se brezi i parë kanë dalë në pension, të rinjtë nuk e duan si profesion".

"Një rrogë 1 mijë dollarë apo 1 mijë euro në muaj, apo 5 mijë euro për një kapiten, nuk mendoj se është e vogël", – shtoi ai.

Numri dy i ministrisë së Bujqësisë, shprehu në fund edhe merakun se në këto kushte, mund të nevojitet fuqi punëtore nga jashtë dhe dha raste konkrte se ata po vijnë nga vendet afrikane.

"Por, shpresoj që të mos hyjmë në atë pjesën, që fatkeqësisht ka filluar, ku po vijnë peshkatarë të huaj nga Egjipti, Senegali, etj”, mbylli reagimin e tij Roland Kristo. /NOA.al