Transmetuar më 26-07-2020, 15:01

Presidenti i Serbisë ka ashpërsuar tonet kundër Kosovës, dhe paralajmëron se vendi i tij do të vazhdojë me fushatën kundër njohjeve.

Në përgjigje të deklaratës së Kryeministrit Hoti, se lobimi për njohjen e Kosovës nuk është pezulluar, Aleksandër Vuçiç u shpreh se Kosovës duhet t’i tërhiqet vëmendje.

“Nëse mentorët e tyre nuk iu tërheqin vërejtjen, ne do të vazhdojmë fushatën tonë (kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës) dhe u premtoj atyre që do të jemi pesë herë më të suksesshëm”, tha Vuçiç përpara gazetarëve, gjatë një vizite në Sremska Mitrovicë.

Vuçiç tha se deklarata e Hotit tregoi se “nënshkrimi i shqiptarëve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe (Zajednica) dhe fjala e dhënë (tek i dërguari amerikan për dialog Richard) Grenellit, nuk do të thotë asgjë”.

I dërguari i posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, para takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, ka thënë se Serbia është pajtuar që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe Kosova është pajtuar të pezullojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë, për t’i dhënë shans vazhdimit të dialogut. /k.k/noa.al/