Transmetuar më 27-07-2020, 02:08

Kur është fjala te zgjedhjet, pjesa më e madhe e amerikanëve votojnë duke u paraqitur në qendra votimi në lagjet e tyre. Ka gjasa që votimet e nëntorit të zhvillohen shumë ndryshe. Miliona vetë pritet të hedhin votën përmes postës këtë radhë, si rezultat i pandemisë.

Zyrtarët zgjedhorë po përgatiten për zgjedhjet e nëntorit, kur miliona vetë do të zgjedhin presidentin e ardhshëm të vendit. Këtë radhë pandemia ka sjellë sfida madhore në procesin zgjedhor. Shtete të ndryshme po zgjerojnë votën me postë si përgjigje.

Zgjedhjet amerikane pritet të mbahen në nëntor, kur vjeshta i dorëzohet dimrit dhe moti ashpërsohet së tepërmi duke shtuar shumë virozat, sidomos ato gripale, të ngjashme me koronavirusin COVID-19.

Pikërisht kjo situatë e miksuar me pandeminë, pritet të nxisë mbi 100 milionë amerikanë që të votojnë në rrugë postare.

Ky shihet si një sinjal për Shqipërinë e cila mund të përballet edhe prillin ose majin e ardhshëm kur janë zgjedhjet, me situatë sërish të komplikuar pandemie. Sa do të funksiononte kjo në Shqipëri me një shërbim postar mjeran, pak e besueshme pritet të jetë nëse qeveria zgjedh këtë rrugë si alternativë, ose ca më keq, përmes e-Albania.

Si kryhet votimi me postë

Nëse parashikojmë një pjesëmarrje në votimet me postë në masën 65-75% të amerikanëve të regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 2020, kjo nënkupton 90-105 milionë vota me postë. Ky është volum shumë i madh poste,” thotë analisti Eddie Perez.

Votimet shoqërohen me masa të shumta planifikimi dhe sigurie, duke filluar me regjistrimin e atyre që duan të votojnë me postë.

“Nganjëherë dëgjon njerëz që e përshkruajnë procesin sikur po dërgohen pa kriter fletë-votime pa asnjë kontroll. Nuk është ashtu,” thotë zoti Perez.

Votuesit marrin fletëvotime specifike për distriktin e tyre zgjedhor, me markën dixhitale që lidhet me personin që voton.

Pas votimit, personi e hedh votën në kutinë postare ose e çon në qendrën e grumbullimit. Sistemi më pas skanon markën për të krahasuar firmën në fletëvotim me firmën e regjistruar në sistem. Më pas regjistrohet vota. Nëse fletëvotimi ka probleme, për shembull nuk ka firmë të rregullt, ai dërgohet për analizë pranë një komisioni.

“I ngjan një fabrike. Fletëvotimet ndahen në varësi të cilësisë dhe përmbushjes së standardeve, pasi në disa raste duhet analizuar më tej firma,” thotë një zyrtar zgjedhor i Kalifornisë.

Votuesit mund të ndjekin përparimin e procesit, ashtu siç ndjekin në kompiuter apo celular itinerarin e një pakoje që kanë dërguar.

Procesi është anonim. Zarfi hapet, nxirret fletëvotimi për t’u numëruar.

“Informacioni personal, identiteti i votuesit është i shkëputur nga vota. Kjo është shumë e rendësishme si garanci e karakterit sekret të votës,” thotë zoti Perez.

Por votimi me postë nuk zgjidh çdo problem. Jo të gjithë ata që votojnë do të dërgojnë një votë që përfshihet në proces:​

“Nëse fletëvotimet arrijnë vonë, ose nëse janë postuar vonë, apo nëse votuesi nuk ka vënë firmën në zarf, si dhe në rastet kur firma nuk përputhet me firmën në sistem,” thotë Kim Alexander, themeluese e Fondacionit të Votuesve në Kaliforni.

Këtë vit Kalifornia e zgjati periudhën për dërgimin e votave me postë, Komunave tani u kërkohet të kontaktojnë vutuesit për të vërtetuar firmën nëse ka dilemma. Megjithatë, zonja Alexander shqetësohet se nuk do të jetë e lehtë për të rinjtë.

“Kanë tre pengesa përpara: nuk kanë votuar më parë. Nuk e kanë të qartë si funksionon sistemi postar dhe nuk janë mësuar të vënë firmën”.

Zyrtarët e zgjedhjeve po shpejtojnë për të kontrolluar listat e votuesve, për të dërguar informacion mbi votimin me postë dhe përgatitje të tjera. Ata paralajmërojnë se rezultatet përfundimtare mund të mos mësohen për javë të tëra pas ditës së zgjedhjeve.