Transmetuar më 27-07-2020, 02:33

Prej shumë ditësh konstatohet një kurbë e ngjashme e numrit të infektimeve dhe viktimave nga COVID-19. Rreth 300 mijë të prekur e afro 6 mijë të vdekur. Ajo që shqetëson është se shifrat janë më të larta se periudha mars-maj e cila u konsiderua si kulmi i pandemisë nëpër botë.

Aktualisht në të gjithë botën janë evidentuar afro 16.5 milionë të infektuar dhe mbi 651 mijë të vdekur. Ndërsa ka kaluar në mbi 10 milionë numri i personave të shëruar, raporton noa.al duke analizuar shifrat e mbledhura nga Universiteti Hopkins dhe Worldometer.

Është hera e parë në mëse 7 muaj që numri i të shëruarve është ndjeshëm më i lartë se i pozitivëve ende aktivë.

Konstatohet se orët e fundit janë 66175 njerëz në gjendje kritike në gjithë botën ose 1 për qind e 5.6 milionë personave ende të pashëruar nga koronavirusi.

Ndër 10.6 milionë raste të mbyllura, 6 për qind përfunduan fatalisht, kurse pjesa tjetër janë shëruar.

Por si duket situata orët e fundit? SHBA duket se po përballet keq me COVID-19. Vijojnë mbi 50 mijë të prekur dhe rreth njëmijë të vdekur çdo ditë. Të njëjtat shifra po regjistron edhe Brazili.

Tashmë SHBA numëron rreth 4.4 milionë të infektuar, ndër të cilët mbi 149 mijë njerëz kanë humbur jetën. Në Brazil, ka arritur në 2.4 milionë numri i të infektuarve dhe mbi 87 mijë të vdekur.

India me 1.4 milionë të prekur dhe Rusia me 812 mijë, renditen në vijim. Situatë shqetësuese edhe në Afrikën e Jugut dhe Meksikë me përkatësisht me 445 mijë dhe 385 mijë të infektuar.

Në Europë, Spanja ka deri tani më shumë të infektuar, 319 mijë dhe 28 mijë të vdekur. Italia gjendet pas saj me 246 mijë të prekur dhe më shumë se 35 mijë të vdekur.

Ndër fqinjët tanë duket se Greqia po përballet lehtë me COVID-19 pasi numëron shifra të vogla ditore dhe në total 4 mijë të infektuar e 202 të vdekur.

Kosova ka situatë të ngjashme me tonën. Mbi 7 mijë të infektuar dhe 377 të vdekur e rreth 20ç të prekur në ditë.

Pasditen e të hënës noa.al ju sjell një tjetër speciale me shtetet që e kanë mposhtur plotësisht koronavirusin dhe nuk kanë asnjë rast të ri prej kohësh. Për më tepër ka dhe disa shtete që nuk shënuan kurrë viktima. /noa.al/