Transmetuar më 29-07-2020, 16:56

Pas nismës që morën shumë artistë shqiptarë, mes tyre Rita Ora dhe Dua Lipa, për të vendosur kufijtë e Kosovës në në shërbimin e Apple Maps, çështja në fjalë ka marrë zyrtarisht formë diplomatike.

Ministri në Detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj, së bashku me  Ministren e Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, i kanë dërguar një letër drejtorit ekzekutiv të Kompanisë Apple, z. Tim Cook.

Në letër dy kryediplomatët e Shqipërisë dhe Kosovës i kërkojnë  marrjen e masave për të vendosur kufijtë e Kosovës në në shërbimin e Apple Maps.

"Në bashkërendim të plotë me Ministren e Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, sot i kam dërguar një letër drejtorit ekzekutiv të Kompanisë Apple, z. Tim Cook, për t’i kërkuar marrjen e masave të nevojshme për të paraqitur kufijtë e saktë të Republikës së Kosovës në shërbimin e Apple Maps", tha ministri Cakaj në një deklaratë.

Sipas ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, "Republika e Kosovës është njohur prej shumicës së shteteve të botës demokratike dhe, ashtu siç ka vendosur vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ndaj, presim që Apple Inc. të marrë vendimin e drejtë duke vendosur kufijtë e Republikës së Kosovës në hartat e shërbimeve të saj".

Ai e mbylli mesazhin e tij me bindjen, se Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për Republikën e Kosovës në mënyrë të pakushtëzuar e në çdo rrethanë.

/NOA.al