Transmetuar më 30-07-2020, 14:30

Ambasadori gjerman Peter Zingraf reagon pas votimit të sotëm në parlament, ku u miratuan ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave zgjedhore dhe formulën e re të koalicionit si shkelje të Kushtetutës.

Zingraf shpreh keqardhje që me gjithë marrëveshjen e arritur dhe tanimë të vendosur në ligj të 5 qershorit reforma zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Unë respektoj rolin institucional të parlamentit, por njëkohësisht kuptoj që prej marrëveshjes së 5 qershorit rezultojnë pretendime legjitime për një dialog gjithëpërfshirës. Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor si dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit. Në këtë kontekst duhet të diskutohen në mënyrë të veçantë çështjet e listave të hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në frymën e përfshirjes dhe të bashkëpunimit”, shprehet ambasadori.

Ai shton më tej se Shqipëria gjendet përpara mundësive dhe sfidave të mëdha, ku përmend vetëm bisedimet e anëtarësimit në BE, rindërtimin pas tërmetit dhe kapërcimin e krizës Corona dhe pasojave të saj.

Sipas tij, në një situatë të tillë rregullat e qartë e transparentë për zgjedhjet e ardhshme, të pranuar nga të gjitha palët politike, janë me rëndësi thelbësore për të ardhmen e vendit.

“Sjell në vëmendje, që reforma zgjedhore mbetet një element qendror në përmbushjen e kushteve të formuluara nga Këshilli i BE-së (dhe në mënyrë të ngjashme nga Bundestag-u) përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit me BE-në dhe se zbatimi i suksesshëm i saj është një prej kushteve të grupit të dytë”, shprehet në mbyllje ambasadori gjerman. /a.y/noa.al

Ndryshimet kushtetuese, Basha: Të papranueshme! Nuk janë të detyrueshme për opozitën

Listat e hapura dhe koalicionet, miratohen me 106 vota ndryshimet kushtetuese