Transmetuar më 30-07-2020, 15:25

Rikthehen sërish përplasjet e ashpra mes Kryeministrit dhe Presidentit.

Pas reagimit të Ilir Metës për ndryshimet kushtetuese, Edi Rama është kundërpërgjigjur flakë për flakë.

Duke përmendur raportin e Komisionit të Venecias, kreu i Qeverisë e quan Presidentin Shkelës të përsëritur të Kushtetutës.

“Ilir, ti je një shkelës recidiv i Kushtetutës sipas Venecias, por po sipas Venecias e ke shkelur, po jo aq rëndë Kushtetutën sa për t’u shkarkuar! Dhe ne që shkeljet e tua i mbajtëm në kurriz, respektuam Venecian e s’të shkarkuam, sepse jemi të përgjegjshëm në përfaqësimin e vendit”, shkruan Rama në Tuiter.

Rama vijon duke shkruar se Presidenti nuk mund të ndezë zjarr për të konfliktuar popullin me shtetin.

“Por siç nuk i ndalove dot zgjedhjet vendore dhe siç nuk e fute dot në zjarr Shqipërinë dje, nuk ke asnjë shans ta ndalosh Kushtetutën e Shqipërisë të jetë detyruese edhe për ty, ashtu sikundër s’ke asnjë shans të ndezësh zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit me shtetin”, vijon postimi.

Në fund e akuzon se po e përdor zyrën e Presidentit si llogore lufte politike.

“Prandaj boll u bëre dhe na bëre të gjithëve qesharakë si shtet, duke e përdorur zyrën e Presidentit si llogore lufte politike, duke sharë ambasadorët siç bënte Haxhi Qamili e duke i folur vetes në vetë të tretë si Luigji XIV!

Boll se s’të ka askush asnjë borxh, jo më Shqipëria”. /k.k/noa.al/