Transmetuar më 30-07-2020, 17:57

Rektorja e Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës, është rizgjedhur në krye të institucionit kryesor arsimor të qytetit bregdetar duke marrë një mandat të dytë, i cili synon të çojë përpara një vizion të ri dhe ambicioz për mijëra djem e vajza dhe komunitetin kudo në Shqipëri.

Prof. Dr. Kseanela Sotirovski u votua masivisht në zgjedhjet e 30 korrikut duke iu ribesuar drejtimi i UAMD. Kandidimi i saj erdhi pas kërkesës së një numri të gjerë pedagogësh të këtij universiteti.

Prof. Sotirovski, e cila njihet në UAMD si një zonjë gjerësisht e përkushtuar pas këtij universiteti, stafit dhe studentëve, pohon se këtë përkushtim synon ta përçojë edhe te komuniteti që ky universitet përfaqëson, duke thelluar rolin e tij në shoqërinë shqiptare.

"Sidoqoftë, – pohon ajo, – ne duhet të bashkëpunojmë më mirë si me njëri-tjetrin brenda institucionit ashtu edhe me shoqërinë, në mënyrë që të shfrytëzojmë fuqinë e plotë të universitetit".

Por si do të bëhet i mundur ky vizion? Sotirovski e ka një plan: "Ne do të jemi katalizatorë të ideve, mendimit kritik dhe hulumtimit, që do të fokusohen në zhvillimin e vendit dhe do të ndihmojnë në zgjidhjen e sfidave shoqërore".

Dhe vetë ajo, është veçanërisht e angazhuar, më së pari si akademike, për përmirësimin e menaxhimit të institucionit, mirë-menaxhimin e burimeve njerëzore dhe ndërdisiplinaritetin në arsimin e lartë.

Në radhët e studentëve dhe stafit pedagogjik, shumë thonë se në katër vitet që lamë pas, Sotirovski u pa qartë se ishte një drejtuese me këmbë në tokë dhe këtë e pranon edhe ajo, duke shtuar: "Mendoni, shqetësohem për gjithçka më rrethon dhe ndërmarr veprime konkrete".

Me platformën e saj, Sotirovski synon të ndërtojë në UAMD, një kulturë bashkëpunimi të ngushtë në të gjitha nivelet. Pjesë e planit, është drejtim i atillë, që siguron bashkëpunim dhe ndërveprim në UAMD, në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha aftësitë që posedon stafi akademik dhe administrativ.

E pyetur se cilat janë objektivat e tjera të saj, Dr. Sotirovski thotë: "Rëndësi të madhe do t’i kushtohet cilësisë së mësimdhënies. Ne duhet të marrim më shumë përgjegjësi, me zemër, për cilësinë e programeve tona të studimit".

Ndonëse mandati drejtues është katërvjeçar, një plan serioz duhet të jetë sa më afatgjatë, ndaj prof. Sotirovski ka hartuar një vizion 10-vjeçar për të ardhmen e këtij universiteti.

"Në dhjetë vjet UAMD-ja do të jetë një Universitet shumë i pranishëm në komunitet, do të ndërveprojë ngushtësisht me institucionet vendore dhe shoqërinë. UAMD duhet të jetë një motorr zhvillimi për Durrësin dhe kjo arrihet me bashkëpunim të mirë mes aktorëve të dijes, institucioneve, biznesit vendor dhe palëve të tjera të interesit. Durrësi është qytet i kulturës dhe shkencës. Ne do të organizojmë konferenca, aktivitete akademike dhe jo vetëm, në partneritet me Bashkinë dhe autoritetet e tjera lokale, komunitetin e biznesit për të dhënë shembullin e mirë se si njerëzit e dijes mund ta përcaktojnë rendin e ditës dhe të krijojnë sinergji të rëndësishme në të mirë të vendit". /noa.al/