Transmetuar më 30-07-2020, 20:14

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka uruar sot Shqipërinë për emërimin e Aida Hajnaj si Drejtoreshën e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

"Kjo është një piketë historike në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por është e nevojshme, po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë. Vendimet e sotme tregojnë se pavarësisht pengesave, Reforma në Drejtësi po bëhet realitet", thuhet në deklaratën zyrtare të ambasadës së SHBA.

BKH do të jetë edhe gjykata që do të vendosë për ndëshkimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, ose e thënë ndryshe, do të godasë "peshqit e mëdhenj".

"Me emërimin e Drejtores së re të BKH-së, të gjitha institucionet e parashikuara nga Reforma në Drejtësi tashmë janë ngritur. Ashtu si u përcaktua në ligjet e miratuara në vitin 2016, u themeluan Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Të dyja institucionet që përbëjnë SPAK – Zyra e Prokurorisë së Posaçme dhe BKH – tashmë janë themeluar. Rezultatet do të mbërrijnë, ngadalë por është e sigurt", nënvizon më tej ambasada e SHBA.

Ambasada e SHBA shtoi se kjo gjykatë për të realizuar objektivat do të trajnohet nga FBI.

"BKH do të trajnohet nga FBI-ja amerikane dhe tani do të fillojë rekrutimin e hetuesve të nevojshëm për të siguruar suksesin e SPAK. Ne u bëjmë thirrje kandidatëve të palodhur dhe të ndershëm që të bashkohen në rradhët e BKH-së, nën udhëheqjen e Drejtores Hajnaj".

"Ne i urojmë suksese Drejtores Hajnaj teksa ajo nis detyrën e saj historike! Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për zbatimin e plotë dhe të duhur të Reformës në Drejtësi, hap pas hapi", mbyll reagimin e saj Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

/NOA.al