Transmetuar më 31-07-2020, 11:37

Votimi i ndryshimeve kushtetuese në seancën parlamentare të së enjtes ku parashikohet hapja e listës në zgjedhje dhe ndryshimi i formulës së koalicionit, ka sjellë reagimin e Partisë Popullore Europiane.

Zëdhënësi për politikën e jashtme në PPE, Michael Gahler shpreh keqardhjen për prishjen e konsensusit dhe ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës, duke shigjetuar Kryeministrin Edi Rama për ndryshim të rregullave.

Gahler i kërkon qeverisë "Rama" që të mos mohojë këshillat e dhëna nga Bashkimi Europian.

Mesazhi i Gahler, “Për miqtë që kanë interes për Shqipërinë: Më vjen shumë keq që mazhoranca shqiptare prishi konsensusin e arritur me opozitën dhe dje ndryshoi në mënyrë të njëanshme Kushtetutën. Nuk mund të pranohet për askënd që qeveria “Rama”, e cila kërkon negociatat e pranimit me BE-në, të fillojë të ndryshojë në mënyrë arbitrare rregullat e lojës elektorale. Nëse kjo qeveri do me ndershmëri negociatat e pranimit me BE-në, si mund të mohojnë këshillat e Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe shteteve anëtare për një çështje kaq të ndjeshme dhe themelore për demokracinë.

Grupi i PPE do të vëzhgojë me vëmendje lëvizjet e radhës, në lidhje me Kodin Zgjedhor, dhe do të kërkojë fuqishëm të arrihet konsensusi me opozitën brenda Këshillit Politik. I takon partive dhe popullit shqiptar të mbrojnë demokracinë dhe perspektivën e tyre evropiane”. /a.y/noa.al