Transmetuar më 31-07-2020, 12:17

Pas vendimit të qeverisë për mbylljen e klubeve të natës, diskove apo shërbimeve të ngjashme, ka ardhur edhe reagimi i shumë artistëve të cilët performojnë gjatë netëve në ambiente të tilla.

Të shumta kanë qenë reagimet nga personazhe të njohur të showbiz-it të cilët nuk kanë qenë dakord me këtë vendim.

Mëngjesin e sotëm në emisionin, “Ditë e Re” ishte i ftuar DJ i njohur, Vin Veli, i cili ka dhënë mendimin e tij lidhur mbi këtë çështje. Ai u shpreh se nuk ishte vendimi i duhur ky që u morr nga qeveria pasi mbyllja e këtyre aktiviteteve do të sjellë varfëri.

“Vërtetë mund të ketë izolim të rasteve, por mbyllja sjell varfëri, dhe çon në depresion shumë artistë dhe këngëtarë”, tha ai.

I pyetur nga moderatorja, Arjola Shehu se cila do të ishte gjëja e duhur në këtë periudhë pandemie, Vin Veli tha se duhet të bashkëjetojmë me koronavirusin pasi nuk e dimë se dhe sa kohë do të zgjatë kjo situatë. Gjithashtu ai shtoi se qeveria duhet të ketë më shumë kontrolle mbi këto subjekte dhe jo të bëjë mbylljen.

Ditët e mbetura nga vera, DJ pritet t’i kalojë afër Adriatikut me djalin e tij, Arborin.