Transmetuar më 31-07-2020, 15:40

Ashtu si kishte premtuar, Presidenti Meta ka dekretuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor, të dakordësuara në marrëveshjen e 5 qershorit, dhe të votuara në seancën e 23 korrikut.

“Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë i vetmi produkt i marrëveshjes konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit të dakordësuara në Këshillin Politik, që mundëson vijimin e sigurtë të rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe që kishin konsensusin dhe gjithëpërfshirjen e të gjithë aktorëve politikë në vend”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Duke shfrytëzuar këtë moment, Presidenti Meta “rithekson edhe një herë se, dialogu politik, gjithëpërfshirës, transparent dhe i sinqertë ndërmjet forcave politike për të gjitha çështjet që prekin zgjedhjet është e vetmja rrugë që e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian dhe e bën Reformën Zgjedhore në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR, siç ka kërkuar Këshilli Europian në 15 kushtet e vendosura për hapjen e negociatave”.

Kreu i shtetit sjell në vëmendje se “për muaj me rradhë Presidenti i Republikës ka përsëritur thirrjen që, çdo ndryshim në lidhje me ligje të rëndësishme, duhet të bëhen vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.

Një koment e ka rezervuar edhe për ndryshimet kushtetuese për listat dhe koalicionet.

“Presidenti Meta do të jetë si gjithmonë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave të patjetërsueshme, lirive dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre përballë çdo akti të ndryshimeve të njëanshme, të dhunshme dhe me urgjencë të pajustifikueshme, si ai i Kushtetutës, që asgjesojnë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”. /k.k/noa.al/