Turmp i prerë: Tik Tok do të ndalohet në SHBA
Transmetuar më 01-08-2020, 08:44

Presidenti amerikan Donald Trump, paralajmëron se do të ndalojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrjetin social kinez Tik Tok, i dyshuar nga Washingtoni se përdoret nga shërbimet sekrete të Pekinit.

“Sa i takon Tik Tok, do e ndalojmë në SHBA, përbën rrezik për sigurinë kombëtare”, iu tha Trump gazetarëve, në bordin e avionit presidencial Air Force One.

Tik Tok është në pronësi të grupit kinez ByteDance. Aplikacioni ka thuajse një miliardë përdorues në të gjithë botën dhe është shumë popullor mes të rinjve.

Tik Tok është nën hetim nga Cfius, agjencia amerikane e ngarkuar për të garantuar që investimet e jashtme të mos përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

Gjatë javëve të fundit ekspertët amerikanë kanë shprehur shqetësimin se platforma video mund të përdoret nga Pekini për të dëmtuar SHBA.

Para deklaratës së Trump, mediat amerikane kishin shkruar se Presidenti do të detyronte grupin ByteDance që ta shiste Tik Tok. Rrjeti social është kundërshtuar edhe përtej SHBA, ku nga 30 qershori është ndaluar edhe në Indi. Ndërkohë pak ditë më parë, Pakistani, një vend mysliman konservator bëri paralajmërimin e fundit për mbyllje duke e cilësuar platformën si imorale, të turpshme dhe vulgare. /a.y/noa.al