Transmetuar më 01-08-2020, 13:53

Fatime Kadriu, fqinja e Aneta Ramës ka treguar detaje të reja për nënën e kryeministrit. Në një intervistë për Report Tv, ajo ka treguar se Aneta Rama ishte një grua nikoqire dhe se kujdesej shumë për djemtë e saj. Sipas saj, Aneta Rama ishte një amvisë e mirë dhe gatuante shumë.  Ajo ka rrëfyer më tej se kohët e fundit gjendja e saj shëndetësore ishte rënduar dhe për herë të fundit e ka takuar para një muaji.

E njihnit nënën e kryeministrit që ndërroi jetë sot?

Netën e kam njohur që kur ka ardhur këtu nuse, në këtë bllok. Ka shumë.

Çfarë mbani mend?

Unë mbaj mend që Neta ishte një grua e mrekullueshme. Më ka humbur një shoqe. Sot kur e mora vesh në televizor jam mërzitur shumë. Çfarë ti bësh…

Si keni shkuar?

Neta ishte me shkollë të lartë, ishte një grua komunikuese, edhe me njerëzit më të thjeshtë, deri te ai më lart. Ishte një grua e mrekullueshme, e zgjuar, punëtore. Ajo i bënte të tëra. Atëherë i kishte të dy çunat sportistë. Më thoshte, ka raste që një lavatrice vetëm me çorapet e sportit i laj. Ishte nikoqire jashtëzakonisht, për shtëpi, për të gatuar, për të pritur, për të përcjellë. Ishte një shoqe që ta bënte zemra të shkoje prapë ta takoje dhe të flisje…

Kohët e fundit dilnit e takonit?

Kohët e fundit, unë kam një muaj që nuk kam shkuar, se ishte sëmurë kur shkova e pashë që ishte rënduar. Më erdhi djali nga Greqia, shkuam i bëmë një vizitë. Nuk ishte në gjendje. Më tha kam pasur ethe, kam qenë e sëmurë. Iku Neta… Më iku një shoqe e ngushtë, një grua shumë e mirë e thjeshtë shumë e mirë.

Ju vjen keq që ceremonia nuk mund të bëhet ashtu sikur ndodh zakonisht?

Më vjen keq, se për ceremoninë e Kristaq Ramës kam qenë deri në fund. Por për Netën erdhi kjo puna e virusit dhe nuk dimë se cfarë do të bëhet si e kanë organizuar. Erdhi puna ters me këtë virusin.

Cili është momenti më i bukur që kujtoni bashkë apo më i vështirë?

Ajo nuk të krijonte momente të vështira, vetëm kënaqësi. Bëhesha shumë me atë. E doja, e doja. Edhe më donte. Rrinte me tim bir kështu… pinin cigare, e mbushnin atë tavllën, bënin muhabet shumë, ma donte djalin… Iku Neta, iku…