Transmetuar më 03-08-2020, 16:19

Forca të shumta të policisë kanë mbërritur pak çaste më parë në ambientet e televizionit “Ora News”,

Pas urdhrit të GJKKO për sekuestrimin e pasurive të pronarit të këtij televizioni, Ylli Ndroqit, forca të shumta të policisë kanë mbërritur pak çaste më parë në ambientet e televizionit “Ora News”.

Vendimi është marrë pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku biznesmeni Ylli Ndroqi mësohet se ishte subjekt i ligjit anti-mafia.

Avokatët e biznesmenit Ylli Ndroqi reaguan pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, njoftoi se ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit pas një hetimi ndaj tij.

Ata thanë për mediat se kjo e sotmja është një sulm politik, ndërsa sqaruan deklaratën e tij në polici.

“Zoti Ndroqi ka qenë duke udhëtuar më mjetin e tij mercedes S600, ai nuk është shoqëruar, dhe ka shkuar në polici, pasi i thanë se makina e tij do sekuestrohet, ka kërkuar vetë të shkojë në polici për të shoqëruar mjetin".

"Brenda 5 ditësh ne do apelojmë. Do vërtetohet se pasuria e tij është e ligjshme, Zoti Ndroqi mendon se është një sulm politik “, thanë ata.

Në njoftimin e SPAK thuhet se nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

SPAK nga hetimet dyshon se Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe familja e tij rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik. Janë ngritur dyshime se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

Është e paqartë nëse pas sekuestrimit, do të vendoset edhe mbyllja e sinjalit të televizionit, megjithatë do të jetë gjykata ajo që do të vendosë, sikurse edhe për akuzat e ngritura ndaj Yllit Ndroqit.

/NOA.al