Transmetuar më 03-08-2020, 18:44

Prej disa ditësh anëtarët në çdo degë lokale të Partisë Demokratike kanë nisur procesin e propozimeve të kandidaturave që do të garojnë për deputetë, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Janë propozuar edhe ish-ministra gjatë kohës së PD-së, të cilët nuk ishin në listat e deputetëve në zgjedhjet e fundit, si dhe ka surpriza të shumta me emra të rinj.

Partia Demokratike hyri në një fazë te rëndësishme të përzgjedhjes së ekipit të ri drejtues, pasi pjesa më e madhe e listave me emrat më të votuar, i janë dërguar selisë blu.

Forumet më të larta të partisë, kryesia e më pas Këshilli Kombëtar me propozim te kryetarit Basha përzgjodhën anëtarët e komisionit, i cili do të bëjë vlerësim e kandidatëve për deputet dhe kryetar bashkie, në zgjedhjet e ardhshme.

Genc Ruli rikthehet ne parti, me ftesë te Lulzim Bashës në postin e anëtarit te komisionit, me një tjetër ish-themelues te Partisë Demokratike Besnik Mustafaj, të cilët do të merren pikërisht me vlerësimin e secilit kandidat.

Bashkë me ta do të jetnë edhe Mark Marku, pedagog, si dhe Bujar Nishani, ish-presidenti i Shqipërisë.

Surprizë në komisionin me pesë anëtarë është emri i Enriketa Papa, pedagoge në Universitetin e Tiranës.

Komisioni do të ndihmohet nga Sekretariati i përbërë nga Sahit Dollapi, Sekretar Organizativ dhe Ervin Minarolli, Sekretar i Burimeve Njerëzore.

Komisionit i vlerësimit deri në 15 shtator do duhet të hartojë listën me emrat e kandidatëve të cilët plotësojnë kriteret, për t’ia dërguar sërish për votim anëtarësisë.

Kjo e fundit ka te drejtën e përzgjedhjes së 80 përqind të kandidatëve për deputet dhe kryetar bashkie.

Faza e fundit është vendimmarrja nga kryesia dhe Këshilli Kombëtar i PD-së.

Në fazën e parë të propozimeve, proces i cili zgjati 6 javë, janë identifikuar një numër i madh kandidatësh.