Kaos informacioni, ambasada greke hedh poshtë njoftimin për udhëtimet me Shqipërinë
Transmetuar më 03-08-2020, 19:55

Ambasada e Greqisë është përfshirë në një kaos informacioni për qytetarët shqiptarë dhe ata grekë duke njoftuar zyrtarisht se ndërpriten deri më 17 gusht fluturimet mes dy vendeve kurse më vonë e tërhoqi këtë njoftim.

Ambasada kishte njoftuar se në bazë të Vendimit 48292 datë 30.07.2020), masat e ndalimit të hyrjes nga Shqipëria në Greqi, shtyhen deri më date 15 gusht 2020.

Njëkohësisht u njoftua nga ambasada greke edhe pezullimi i fluturimeve ajrore nga Shqipëria drejt Greqisë, duke filluar nga data 1 gusht deri më datën 17 gusht 2020.

Pas tërheqjes nga njoftimi për fluturimet, dolën njoftime nga mediat qendrore të Athinës. Ata bënë të ditur se nuk ka asnjë ndërprerje të fluturimeve vajtje-ardhje mes dy vendeve dhe se ato vazhdojnë rregullisht.

Është e paqartë përse në mënyrë të përsëritur ndodh ky kaos informativ. Në korrik qeveria njoftoi përmes zëdhënësit se rihapeshin pa kufizime kufijtë tokësorë, detarë dhe ajrorë mes dy vendeve. Disa orë më vonë ambasada greke doli me kundërlajm duke thënë se kufijtë nuk hapen. /noa.al/