Transmetuar më 03-08-2020, 20:01

Haki Çako, Kreu i Emergjencave Civile, tha sot se shumica e zjarreve të rëna ditët e fundit janë të qëllimshme.

Për këtë, ai tha se policia po heton për të rënë në gjurmët e autorëve.

“Ardhjen e stinës së verës u shoqërua me rritje të mëdha të temperaturave duke shtuar së tepërmi mundësinë e rënies së zjarreve në pyje, sipërfaqe me shkurre, kullota etj.

Shkaqet e rënies së zjarreve natyrisht janë temperaturat e larta por nuk ka munguar neglizhenca, pakujdesia e banorëve të zonës dhe në shumë raste ka qene zjarrvënie e qëllimshme, për të cilët policia e shtetit po heton dhe gjej rastin ta inkurajoj për intensifikimin e punës për gjetjen dhe kapjen e autorëve të vënies së zjarreve”, tha Çako.

Duke folur me shifra, ai u shpreh se “nga muaji Janar deri në Korrik janë evidentuar 329 vatra zjarri, ku vetëm për muajin korrik janë evidentuar 168 vatra zjarri”.

Por cilat janë zonat më të prekura nga zjarret në këtë stinë vere?

“Sipas raportimeve të bëra nga Bashkitë dhe Prefekturat në AKMC (bashkitë më të prekura janë:

Shkodra, Fieri, Vlora, Durrësi, Gjirokastra, Lezha, Dibra, Korça, Berati, Kukësi, Tirana, dhe Elbasani. Në total ne gjithë Shqipërinë janë djegur 598 hektarë duke përfshirë dhe 2419 rrënjë ullishte dhe 217 rrënjë pemëtarie”, vijoi Çako.

Një thirrje rezervoi për disa bashki në vend kur u shpreh se institucionet vendore kanë kërkuar ndërhyrjen e Forcave të Armatosura, pa shfrytëzuar më parë kapacitetet që disponojnë.

Dhe në këtë drejtim paralajmëroi se do ketë penalitete financiare për bashkitë. /k.k/noa.al/