Transmetuar më 04-08-2020, 09:59
Komron Zukurov

Autoritetet shqiptare kanë ekstraduar drejt Gjermanisë, të riun nga Taxhikistani, Komron Zukurov.

Ekstradimi i 24-vjeçarit u bë, pasi kërkohej nga drejtësia gjermane si pjesë e një grupi terrorist.

I riu i dyshuar si terrorist i ISIS, u kap në Tiranë në 30 prill, gjatë operacionit të koduar “Vizitori”.

I riu nga Taxhikistani kishte mbërritur në Shqipëri dy muaj e gjysmë para prangosjes, në aeroportin “Nënë Tereza”, ndërsa u vu në pranga në qendër të Tiranës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Zukurov kishte hyrë në Shqipëri më 17 shkurt dhe jetonte me një familje nga Taxhikistani në kryeqytet, ndërkohë që dyshohet se mund të kryente akte terroriste.

Policia tha zyrtarisht se i dyshuari ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21 prill 2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale “Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS). /a.y/noa.al

Zbulohet biznesmeni shqiptar që do të ekzekutonte grupi i të riut nga Taxhikistani, për 40 mijë dollarë

U prangos në Tiranë si terrorist i ISIS, arrest me burg për të riun nga Taxhikistani