Transmetuar më 04-08-2020, 12:07
Klajdi Qama

Shpallet në kërkim babai i një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë. Bëhet fjalë për 61-vjeçarin Selim Qama, i cili është babai i deputetit të opozitës parlamentare Klajdi Qama, i dalë nga listat fundore të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Shpallja në kërkim e 61-vjeçarit është bërë pasi rezulton pronari i firmës “Klerajdi”, i cili në mënyrë të paligjshme, nxirrte pllaka dekorative nga mali i Tomorrit.

Qama është shpallur në kërkim teksa bashkëpunëtori i tij është arrestuar bashkë me një punëtor.

Lidhur me rastin në fjalë, policia deklaroi zyrtarisht se, “Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-D. L., 26, vjeç, banues në fshatin Novaj, Skrapar, administrator i një subjekti që i është revokuar licenca e ushtrimit te aktivitetit, me objekt veprimtarie “Grumbullim, përpunim dhe tregtim i gurëve dekorativë”;

-S. K., 40 vjeç, banues në Poliçan, punonjës i një subjekti;

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi Selim Qama, 61 vjeç, banues në Tiranë, administratori i subjektit.

Arrestimi i dy shtetasve dhe shpallja në kërkim e administratorit u bë pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në bashkëpunim me punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura Berat, në aksin dytësor Novaj-Pronovik, në vendin e quajtur “Qafa e Sqepurit”, kanë konstatuar me dy mjete, njëri pa targa, të ngarkuar me pllaka guri dekorative, të nxjerra në Malin e Tomorit, zonë e shpallur “Park Kombëtar", duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur.

Dyshohet se këta shtetas materialin e gurit të nxjerrë në mënyrë të paligjshme në këtë zonë e tregtonin duke pasur aktivitetin me status të pezulluar dhe me fatura fiktive.

Materialet iu referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. /a.y/noa.al