Transmetuar më 04-08-2020, 13:06

Kryedemokrati Lulzim Basha priti sot në takim anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve për deputetë, dhe në përfundim të tij jep një mesazh.

Basha thotë se në ditën e parë të punës së Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave, i shprehu anëtarëve të tij, Bujar Nishanit, Besnik Mustafajit, Genc Rulit, Enriketa Papës dhe Mark Markut, vlerësimin për angazhimin në këtë proces risi të politikës shqiptare.

Ai deklaron se PD do të përfaqësohet në përballjen e ardhshme elektorale nga elita e saj politike, si dhe nga personalitete të shquara të jetës akademike dhe publike dhe se nisja e punës nga Komisioni i Vlerësimit të kandidaturave është vetëm faza e parë e seleksionimit të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme.

“Ky është momenti të shpreh mirënjohjen për çdo anëtar të Partisë Demokratike, që kontribuoi në këtë proces të propozimit të kandidatëve, duke evidentuar më të mirët e më të mirëve, të cilët përbëjnë një korpus të rëndësishëm për administrimin e qeverisjes që shqiptarët do t’i besojnë PD-së dhe aleatëve të saj. Mirënjohje për Institutin Republikan Amerikan IRI, konservatorët britanikë, CDU dhe Fondacionin Konrad Adenauer, si dhe familjen tonë të madhe politike, Partinë Popullore Europiane – PPE, që na kanë mbështetur dhe vazhdojnë të na asistojnë në këtë proces dhe inkurajojnë që ai të ndiqet si model i demokratizimit të forcave politike, në Shqipëri dhe në gjithë Rajonin”, shprehet Basha.

Ai shton se përzgjedhja e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme do të jetë epoka e re në demokratizimin e partive politike shqiptare.

Sipas tij modeli i PD, ku zëri i anëtarësisë dëgjohet në përzgjedhjen e përfaqësuesve në parlamentin e ardhshëm dhe drejtuesve në nivel vendor dhe qendror, do të jetë dhe modeli për qeverisjen e ardhshme, ku zëri i qytetarëve do të jetë parësor në vendimmarrjet për Shqipërinë, për shqiptarët, për zhvillim dhe punësim, si prioritet kryesor i imi dhe i PD.

“Me modelin më të mirë të përzgjedhjes së kandidaturave, me programin shpresëdhënës dhe angazhimin tonë të plotë dhe serioz, motorët e ndezur të fushatës sonë po çojnë përpara çdo ditë e më shumë procesin e pashmangshëm të rrotacionit politik. Ditë më të mira”, thotë Lulzim Basha. /a.y/noa.al

PD zbulon anëtarët e komisionit që do të zgjedhin kandidatët për deputetë, rikthehen Ruli dhe Mustafaj

Kandidatët për deputetë, Mustafaj: Zgjedhim më të mirët. Ruli: PD është pjekur