Transmetuar më 04-08-2020, 15:38

Një ditë pas vendimit të SPAK, Policia e Shtetit ka bërë të mundur sekuestrimin e pronave të biznesmenit Ylli Ndroqi, mes tyre edhe dy televizione, Ora dhe Ora News.

Në njoftimin zyrtar, thuhet se hetimet për pasuritë e Ndroqit kanë zgjatur rreth 18 muaj, në bashkëpunim edhe me organet e huaja ligjzbatuese.

“Pas afro 18 muajsh hetime proaktive të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me homologët dhe agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese, bazuar në provat e grumbulluara, u regjistrua procedimin pasuror  Nr. 10 i vitit 2020, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), si subjekt i  ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit te organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Bazuar në Vendimin Nr. 16, datë 01.08.2020, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe urdhrit të ekzekutimit të SPAK-ut, Policia e Shtetit sekuestroi pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në zotërim të shtetasit Ylli Ndroqi, si më poshtë:

Kuotat dhe aksionet e shoqërisë "RENDON OIL" sh.p.k, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi; Kuotat dhe aksionet e shoqërisë "YLDON" sh.p.k, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi; Kuotat dhe aksionet e shoqërisë "DON-UCD" sh.p.k, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi; Kuotat dhe aksionet e shoqërisë "REN-DON" sh.p.k, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi; 80% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë "INTERKINEX" sh.p.k, me aksioner shoqërinë "YLDON", përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi; 80% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë "Ecogades Landon Balcan" sh.a, me aksioner shoqërinë "Landon", përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi; 60% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë "ORA" sh.a, në emër të shtetasi Ylli Ndroqi dhe të masës 40% të kuotave në emër të shtetases M. N.; 51% të kuotave të shoqërisë "Landon" sh.p.k, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi; 50% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë "P 8 31" sh.p.k, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi; 50% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë "ALBANIA BAY MARINE", me aksioner shoqërinë "YI.DON", përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi; 30% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë "CHANNEL ONE" sh.p.k, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi. Pasuria e llojit "apartament", me sipërfaqe 117 m2, me adresë lagjja nr. 13, Plazh, Durrës; Pasuria e llojit "truall", me sipërfaqe 300 m2, me adresë Tiranë; Pasuria e llojit "truall", me sipërfaqe 600m2 dhe një ndërtesë me sipërfaqe 90 m2, me adresë Tiranë; Pasuria e llojit "njësi shërbimi", me sipërfaqe totale 43.7 m2, me adresë Tiranë; Pasuria e llojit "arë", me sipërfaqe totale 67.3 m2, me adresë Tiranë; Pasuria e llojit "truall", me sipërfaqe totale 15 m2, me adresë Tiranë; Pasuria e llojit "truall", me sipërfaqe totale 300m2, me adresë Tiranë; Pasuria e llojit "truall", me sipërfaqe totale 2026m2, me adresë Tiranë; Pasuria e llojit "apartament", me sipërfaqe, 52.3 m2, me adresë Tiranë, në bashkëpronësi me shtetasen M. N; Pasuria e llojit "pyll", me sipërfaqe totale 100.000 m2, në Tiranë (Lanabregas); Automjeti i tipit autoveturë, marka "Merces Benz", modeli S600, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi. Automjeti i tipit autoveturë, marka "Rolls Royce", modeli PHANTOM, në pronësi të shtetases M. N.;

Ndërkaq, e gjithë pasuria është marrë në administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara.