“Boll kemi gënjyer me shifrat për ekonominë!” Malaj i kujton qeverisë rrezikun e falimentimit të Greqisë
Transmetuar më 04-08-2020, 20:59

Arben Malaj, ish-ministër socialist i Financave, thotë se nëse vazhdohet duke gënjyer me shifrat për ekonominë, mund të kemi fatin e Greqisë, që rrezikoi një dekadë më parë të shkonte në kolaps dhe falimentim.

Greqia është vend i BE-së dhe e shpëtoi Gjermania me 300 miliard euro, ndërsa Shqipëria e ka provuar një herë kolapsin, kur nuk mori parasysh rekomandimet e të huajve dhe përjetoi pasojat e vitit ’97.

"Parandalimi është vaksina më e mirë për krizat ekonomike dhe financiare", thotë Malaj.

Sipas tij, kurimi që në fazën e parë të sëmundjeve të shëndetit të ekonomisë dhe financave publike është detyra dhe pergjëgjesia numër një e qeveritarëve dhe studiuesve.

Prandaj theksoj, – shton ai, se  – "është koha që çdo vlerësim, edhe ndërkombëtar, ta lexojmë me përgjegjshmërinë e sfidave reale të vendit tonë, sfida të cilat shqiptarët i ndiejnë në jetën e përditshme", duke dhënë edhe një paralajmërim të fortë për qeverinë, me shembullin e Greqisë.

"Ne duhet të mbajmë parasysh se Greqia e pagoi shumë keq përpunimin “shkencor” të statistikave të financave publike nga kompani konsulente që nuk e paralajmëruan në kohë për problemet e thella dhe risqet e rënda të ekonomisë dhe financave të saj publike".

"Atë që grekët e “përfituan” përkohësisht nga zbukurimi/ fshehja e problemeve konkrete, e paguan kur kriza financiare shpërtheu në formën e saj më të ashpër në 2008, ku papunësia për të rinjtë arriti 50% dhe kur grekët humbën rreth 1/3 e pasurisë së tyre".

Malaj në fund i referohet edhe një analize të FT, lidhur me arsyet e krizës që përjetoi ekonomia greke.

/NOA.al