Transmetuar më 05-08-2020, 14:40

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka publikuar një fotografi ku shihet me lahutë në dorë, gjatë takimeve që ka zhvilluar me strukturat e partisë, ku ngre shqetësimin për mos futjen e kësaj vegle muzikore në UNESCO.

Ajo bën me dije se gjatë takimeve të zhvilluara me strukturat e LSI si kryetare partie, në Malësinë e Madhe, pati kënaqësinë që të takonte si qytetare, rapsodin e jashtëzakonshëm të Malësisë, lahutistin virtuoz Jonuz Delaj.

Kryemadhi thotë se janë mijëra vargje të Eposit shqiptar që janë kënduar me këtë instrument të pakrahasueshëm dhe përcjellë brez pas brezi si një trashëgimi e rrallë dhe nga më të çmuarat për çdo brez shqiptarësh.

“Gjatë bisedës me Jonuzin më erdhën ndërmend disa vargje të poetit tonë kombëtar At Gjergj Fishta, tek “Lahuta e Malcis”:

Përsè flamuri kuq e zí,

Sod mâ s’ pari, bukurí

Porsì fleta e Engllit t’ Zotit,

Po valvitë mbí tokë t’ Kastrjotit,

Si valviti dikúr motit;

E dér m’qiellë ushto brohrija,

Kah gërthet fusha e malcija:

Për jetë t’ jetës rroftë Shqypníja!

Një vepër e rrallë dhe monumentale, ku ndërthuret letërsia, tradita dhe historia jonë”, shkruan ajo.

Kryetarja e LSI-së shton se në anën tjetër i’u përvijua dështimi i Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Jashtme për çështjen e trashëgimisë jo materiale së lahutës në UNESCO.

Sipas saj, megjithëse ka kaluar mbi një vit e gjysmë nuk ka ende asnjë veprim, por vetëm fjalë dhe propagandë.

Kryemadhi thotë se ka shtatë vite në qeverisje dhe nuk ka bërë asnjë veprim për regjistrimin e Eposit të Kreshnikëve në trashëgiminë jo materiale në UNESCO, megjithëse studimi është i plotë dhe ka fituar dhe çmim nga Europa Nostra.

Në vijim hedh akuza se Ministria e Kulturës dhe qeveria e “Rilindjes” do të kujtohen si shkatërruesit dhe rrënuesit e Kulturës dhe vlerave materiale e historike të saj dhe se do të kujtohen për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar si dhe dhjetëra ndërtesave të trashëgimisë kulturore të kategorisë së parë dhe të dytë në Tiranë.

“Do të mbahen mend si rrënuesit e vlerave për t’i hapur rrugë betonizimit dhe pastrimit të parave nëpërmjet ndërtimit. Ndaj LSI dhe Opozita e Bashkuar duhet të investojë seriozisht në ruajtjen e vlerave historike dhe kulturore të shqiptarëve. Duhet të rikuperojmë sa më shumë nga ky shkatërrim talebanesk i Rilindjes”, shprehet Kryemadhi.

Ajo thotë në mbyllje se Opozita e Bashkuar nuk është thjesht vetëm një emërtim politik, por është edhe një koalicion shumë më i gjerë dhe një bashkim me qytetarët si Jonuzi dhe me të gjithë përfaqësuesit dhe përçuesit e vlerave kombëtare dhe ruajtësit e tyre. /a.y/noa.al