Transmetuar më 05-08-2020, 16:40

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka paralajmëruar rritje të papunësisë në vend si pasojë e koronavirusit.

Në konferencë për mediat, Sejko u shpreh se epidemia e ka goditur ëndë ekonominë, duke stimuluar ngadalësim.

Sipas tij, aktiviteti ekonomik shënoi pikun e ngadalësimin në 3-mujorin e dytë të këtij viti. Në bazë të parashikimeve, rritje ekonomike pritet të ketë në vitin 2021.

Nisur nga kjo situatë, Sejko u shpreh se Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur të lërë të pandryshuar normën e interesit, në vlerën 0.5%.

“Pandemia ka sjellë një goditje të rëndë për ekonominë shqiptare. Aktiviteti ekonomik ka pësuar një ngadalësim të fortë. Ekonomia u kontraktua 2.5% në 3-mujorin e parë. Kjo pritet të shoqërohet me ulje të punësimit dhe rritje të papunësisë, si dhe rritje të borxhit gjatë vitit 2020.

Kjo situatë ka sjellë vështirësi financiare për shumë biznese e familje shqiptare. Aktiviteti ekonomik shënoi pikun e ngadalësimit në 3-mujorin e dytë të vitit, ndërsa pritet që rritje të shënojë vetëm në vitin e ardhshëm.

Ky skenar është i kushtëzuar nga ecuria e mëtejshme e pandemisë, nga ndikimi i pandemisë në sjelljen e ardhshme të biznesit dhe konsumatorit. Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit, në vlerën 0.5%”, tha Sejko. /k.k/noa.al/