Tampon nuk po i bëhet as familjeve të të infektuarve. A po përhapet Covidi nga vetë MSH?
Transmetuar më 07-08-2020, 07:24

Pohime shqetësuese vijnë nga Tirana dhe rrethet mbi rritjen  e infeksionit Covid19 në Shqipëri. Persona të infektuar me Covid dhe të shtruar ose regjim shtrati në shtëpi për shkak të simptomave, kur dalin pozitivë, as familjarëve të tyre nuk u bëhet tampon.

M.C është banore e Tiranës. Ajo tregon se bashkëshorti i saj ishte sëmurë në ditët e fundit të korrikut, kryesisht temperaturë. Nisur nga deklaratat e MSH, ajo telefonoi 127 dhe kërkoi ndihmë. Përgjigjja që mori ishte se duhej bërë tampon por pas nja 2 a 3 ditësh se kishte shumë ngarkesë.

Pas 3 ditësh në banesën e M.C pranë qendrës së Tiranës, vjen ekipi i ISHP. Ata i marrin tampon vetëm bashkëshortit të saj E.C. E shoqja i kërkoi ekipit që tampon ti bëhej edhe asaj e fëmijëve, si dhe, nënës së të shoqit. Përgjigjja që mori ishte refuzuese duke i thënë se kanë urdhër nga lart që tampon tu bëhet vetëm atyre që kanë simptoma.

Si rasti i M.C është edhe një familje përballë spitalit të fëmijëve në Tiranë. Tampon nuk bëhet nëse nuk ke simptoma.

Rastet kanë sjellë shqetësim te qytetarët dhe ekspertët. Mjeku Artan Koni pohon se "gjurmimi dhe testimi nuk funksionojnë as per familjarët e rasteve pozitive të shtruara në spital, jo më për familjaret apo kontaktet e atyre pozitivë asimptomatikë".

Koni pohon se spitalet COVID nuk kane gjene me te rendesishme: burimet njerezore. "Çdo dite e me shume po kuptojme me sa pak personel perpiqen te funksionojne keto spitale. Kemi mjeke e infermiere te sfilitur te cilet punojne si gladiatore per te perballuar pavionet plot".

Kjo situatë e krijuar nga Ministria e Shëndetësisë bie ndesh me vetë direktivat që ajo ka lëshuar. MSH dhe strukturat e saj thonë vazhdimisht se është shumë i rëndësishëm evidentimi i të infektuarve dhe izolimi i tyre me qëllim ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit.

Por kjo nuk po funksionon. M.C pohon se nuk ka deri tani shenja Covidi dhe ka vijuar përditshmërinë ashtu si pjesëtarët e tjerë të familjes dhe në karantinë është vetëm i shoqi.

Por MSH këmbëngul se asimptomatikët janë goxha të rrezikshëm sepse përhapin infeksionin gjerësisht. Në këtë pikë lind pyetja: A nuk po e përhap shteti me vetëdije infeksionin Covid19?

Është e qartë se mënyra e vetme për të mos futur sistemin shëndetësor në kaos, ishte dhe mbetet testimi masiv i njerëzve. Kjo do të mbante nën kontroll infeksionin duke penguar prekjen masive dhe njëherësh të shumë njerëzve, gjë që pasojat i ka të ditura. /noa.al/