Transmetuar më 07-08-2020, 10:10

Zbardhet i plotë motivi i ekzekutimit të taksistit 71-vjeçar, Abdulla Budlla, i cili u vra në zonën e Fushë Prezës në periferi të Tiranës, jashtë mjetit të tij, pasditen e 3 gushtit.

Të dyshuarit për ngjarjen, të vënë në prangat e policisë janë vëllezërit Sajmir Shera, 32 vjeç, i dënuar më parë dhe Arsil Shera, 20 vjeç, banues në Rinas, Krujë, të cilët akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Gjatë marrjes në pyetje nga policia vëllezërit kanë pranuar krimin, duke thënë se nuk kishin rrugë tjetër veçse ta vrisnin.

“Abdullai kishte lidhje me nënën tonë, e ngacmonte. I kishim kërkuar të hiqte dorë, por ai mohonte. Kemi një motër me aftësi të kufizuara dhe nëna e merrte si taksist Abdullain për ta çuar në spital. Kemi folur disa herë, por s’na dëgjonte, madje edhe jemi konfrontuar. Kulmi arriti kur bëri disa veprime të pahijshme me motrën tjetër tonën, e cila është e martuar. Nuk na la rrugë tjetër”, mësohet të jenë shprehur vëllezërit Shera.

Ditën e krimit ata morën një makinë me qira, ku për ti fshehur targat, e mbuluan me dekorin “Me trashëgime çifti”, për t’u kamufluar si për dasmë.

Gjatë operacionit, policia gjeti dhe sekuestroi edhe mjetin tip ‘Volkswagen’ që kanë përdorur dy vëllezërit për të kryer krimin.

Gjithashtu, po gjatë zhvillimit të këtij operacioni dhe kontrolleve të befasishme të kryera në disa banesa të dyshuara, policia arrestoi në flagrancë të zotin e biznesit që jepte mjetet me qira, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”, Gresian Çela, 29 vjeç, lindur në Fushë Krujë.

Kjo pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e biznesit ku u gjet makina e përdorur për vrasjen, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës material: një armë zjarri pistoletë, një shotgun, 60 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një sasi të konsiderueshme në lekë, euro, paund, dollarë e franga zvicerane, një aparat celular dhe një automjet tip “Mercedes Benz”. /a.y/noa.al

Vrasja e taksistit, vëllezërit pranojnë krimin: Për nder, na ngacmonte të afërmen

Kush janë dy vëllezërit e arrestuar për vrasjen e taksistit, njëri i dënuar më parë