Transmetuar më 08-08-2020, 11:20

Gjashtë persona janë arrestuar nga policia pas finalizimit të një operacioni, të koduar "Poshnje".

Pas një hetimi disa mujor për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në pranga u vunë dy personat të cilët bënin shpërndarjen e lëndës narkotike në doza të vogl, si dhe katër familjarë të tyre, të cilët kanë kundërshtuar forcat e policisë për të mos lejuar kontroll në banesat e tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Poshnje”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacioni nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, pas një hetimi disa mujor.

Sekuestrohen 25 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe doza cannabis sativa.

Vihen në pranga dy shtetasit që posedonin dhe shpërndanin në doza të vogla kokainë dhe kanabis.

Në pranga edhe 4 shtetas të tjerë, familjarë të të arrestuarve, pasi kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, për të mos i lejuar të ushtronin kontroll në banesat e tyre.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, pas një hetimi disa mujor organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Poshnje”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. A., 25 vjeç dhe J. Sh., 18 vjeç, të dy banues në Berat.

Shërbimet e Policisë, në fshatin Poshnje, gjatë kontrollit të ushtruar në automjentin me të cilin këta shtetas po udhëtonin gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 25 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe doza cannabis sativa.

Gjithashtu, nga specialistët për Krimet u arrestuan në flagrancë dhe 4 shtetas të tjerë, për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, konkretisht shtetasit H. A., 52 vjeç, E. A., 16 vjeç, E. G., 34 vjeç dhe K. D., 41 vjeç, të katërt banues në Berat,  pasi në vijim të veprimeve hetimore punonjësit e Policisë ushtruan kontrolle në banesat e shtetasve A. A. dhe J. Sh. dhe shtetasit e mësipërm  kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë që të mos ushtronin kontrolle në banesat e tyre.

/NOA.al