Transmetuar më 08-08-2020, 21:57

Presidenti Ilir Meta ka shfrytëzuar përkujtimin e 8 gushtit 1944 për të kërkuar nevojën e një angazhimi më të fortë të rinisë për të mbrojtur lirinë.

Kjo datë përkon me ngritjen e 300 të rinjve antifashistë të cilët u mblodhën në malet e Skraparit të çliruar për të nisur Kongresin e Parë të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë.

MESAZHI I PRESIDENTIT META

Në 8 gusht të vitit 1944 rreth 300 të rinj antifashistë u mblodhën në malet e Skraparit të çliruar për të nisur Kongresin e Parë të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë.

Delegatët vinin nga mbarë vendi, nga zonat e çliruara dhe ato ende të pushtuara, nga formacionet partizane dhe shkollat e mesme që ishin kthyer në qendrat kryesore të antifashizmit në Shqipëri.

Atë ditë, delegati më i ri, partizani Sabri Godo, pas një udhëtimi pafund në këmbë për ditë të tëra do festonte 15-vjetorin e tij. Ishin kohë të mëdha idealesh për Liri.

Kërkoheshin sakrificat më sublime dhe Rinia e Shqipërisë nuk i kurseu ato deri në çlirimin e plotë të vendit.

Duke nderuar sot me përulësi sakrificat e jashtëzakonshme të asaj gjenerate të jashtëzakonshme, është momenti të kërkojmë një angazhim më të fortë të rinisë tonë në mbrojtje të lirisë dhe rrugës europiane të vendit. /k.k/noa.al/