Pavarësisht aktit normativ që ndalon grumbullimet në kohë pandemie prej koronavirusit, lokalet nuk heqin dorë prej organizimit të tyre, ku pesë lokale në Berat e Fier kanë përfunduar të gjobitur.
Kështu policia e Beratit ka ndëshkuar me 1.000.000 lekë gjobë, pronarin e një restoranti, pasi u konstatua duke organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në rrugën Berat-Urë Vajgurore, një restorant në të cilin po organizohej ceremoni martesore, duke mos respektuar protokollet e sigurisë.
Shërbimet e Policisë i kanë vendosur pronarit të restorantit, shtetasit K. B., masën administrative 1.000.000 lekë.
Edhe policia e Fierit ka ndëshkuar me nga 1.000.000 lekë gjobë, administratorët e katër restoranteve, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë konstatuar katër restorante në të cilët ishin organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë.
Shërbimet e Policisë i kanë vendosur administratorëve të këtyre subjekteve, shtetasve R. N., A. T., V. P. dhe K. K., masën administrative 1.000.000 lekë secilit.
Policia apelon për të gjithë pronarët/administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. /a.y/noa.al