Transmetuar më 10-08-2020, 14:37

Kryedemokrati Lulzim Basha është ndalur ditën e sotme në një takim me banorët e Manzës, të mbetur pa strehë ngaa tërmeti i nëntorit.

Basha thotë se dhjetra familje në Manzë dhe në zonat e tjera të goditura nga tërmeti, jetojnë ende në çadra dhe në kushte shumë të vështira dhe se këta banorë kanë rreth 10 muaj pa një çati mbi kokë për veten dhe fëmijët e tyre.

“Qeveria i gënjeu kur ju premtoi se do t’i strehonte dhe sistemonte familjet, banesat e të cilëve u shkatërruan nga tërmeti. Sot në Manzë takova të moshuar të pastrehë, prindër pa shtëpi, që jetojnë në çadër, të braktisur nga qeveria. Asnjë qindarkë nga paratë publike të shtetit apo nga fondet e dhëna nga BE nuk ka ardhur këtu”, shprhet Basha.

Ai shton se nën vapën e padurueshme, nën shirat e vazhdueshëm dhe në kulmin e pandemisë, ata përpiqen të mbijetojnë, ndërsa qeveria vazhdon t’i vjedhë fondet publike që ju takojnë atyre, për t’jua dhënë me PPP dhe koncensione 5 klientëve të saj oligarkë.

Sipas tij, shqiptarët meritojnë një qeveri të përgjegjshme që punon për ta dhe se askush në Shqipëri nuk duhet të jetojë në çadra apo të llogarisë bukën e gojës.

Basha zotohet se vëmendja kryesore e Partisë Demokratike do të jenë qytetarët, hallet dhe shqetësimet e tyre të përditshme.

“Kjo është detyra e çdo qeverie normale, dhe shqiptarët meritojnë dhe do të kenë një qeveri serioze, që vë në plan të parë shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Ditë më të mira”, thotë në mbyllje Lulzim Basha. /a.y/noa.al