Transmetuar më 10-08-2020, 18:32

Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish në lidhje me situatën problematike të koronavrusit në vend.

Kreu i shtetit ka kërkuar që të përdoret terapia me plazmë hiperimune, nisur nga efektiviteti që ka pasur kjo metodë te të prekurit me koronavirus.

“Nisur nga informacionet përgjithësisht pozitive lidhur me terapinë me plazmë hiperimune (konvaleshente) dhe për shkak se aplikimi i saj ka rezultuar mjaft i dobishëm për pacientët me COVID-19, inkurajoj të ecet sa më shpejt me këtë terapi, duke siguruar së pari të gjitha aparaturat që bëjnë të mundur aplikimin e saj”, shkruan Presidenti në Facebook.

Kreu i shtetit e sheh të rëndësishme ndihmën e Italisë me personel mjekësor.

“Në këtë situatë, është shumë e rëndësishme të kërkohet ndihmë nga Italia për asistimin me specialistë, si një vend me eksperiencë të spikatur për vënien në zbatim të këtij protokolli.

Kjo do të mundësonte jo vetëm një aplikim të sukseshëm dhe zbatim strikt dhe shkencor të këtij protokolli, por dhe do evitonte çdo lloj pasaktësie e pasigurie, që mund të verifikohet në praktikë”, përfundon Meta.

Sa i përket situatës me koronavirusin, në 24 orët e fundit një pacient humbi jetën, ndërsa rezultuan pozitivë 125 raste të reja. /k.k/noa.al/