Transmetuar më 11-08-2020, 09:24

Mjeku i njohur, Erion Dasho, ngre si shqetësim faktin se në të dy spitalet ku trajtohen pacientë të prekur nga COVID, ka më shumë pacientë “të dyshuar” me COVID se sa pacientë të diagnostikuar.

Ai thotë se një nga maksimat e para që na kanë mësuar profesorët në fakultet ka qenë se “pa diagnozë, nuk ka mjekim”, duke shtuar se kuptohet se paqartësia në vendosjen e diagnozës së COVID, e cenon procesin e përkujdesjes për shëndetin dhe jetën e pacientëve.

Mjeku ngre si shqetësim se përveç implikimeve për shëndetin e pacientëve, situata ka implikime edhe për shëndetin publik si në nivel individi, ashtu edhe në nivel popullate.

Sipas tij, në nivel individi, nuk dihet nëse, pas shërimit, këta persona e kanë kaluar apo jo COVID-in gjë që ka rëndësi për strategjitë parandaluese në të ardhmen.

“Në nivel komuniteti apo popullate, njohja e statusit lidhur me COVID tek këta pacientë ka rëndësi për të vlerësuar përhapjen e COVID në popullatë dhe orientuar gjurmimin. Shumë ekspertë jashtë qeverisë kanë fajësuar Ministrinë për cilësinë e dobët të testeve. Ata kanë argumentuar se testet me besueshmëri të ulët kanë sjellë në pikën kur testimi nxjerr më tepër fals negativë (persona të prekur nga COVID që testi nuk i identifikon dot) se sa realisht pozitivë (persona të prekur që testi i identifikon si të tillë). Ditët e fundit kanë qarkulluar edhe idetë se pacientët janë paraqitur me shumë vonesë pranë spitaleve COVID, kur virusi ka “migruar” tashmë nga fyti (aty ku e identifikon testi i tamponit) drejt mushkërive”, shkruan Dasho.

Ai thotë se në të dy rastet është e pakuptueshme se përse nuk përdoret testi i antitrupave i cili ka shumë gjasa të identifikojë antitrupa IgM duke nisur nga fundi i javës së parë të sëmundjes, atëherë kur edhe mendohet se mund të jetë negativizuar tamponi.

Dasho bën thirrje se është koha që të mendohet seriozisht për diagnozën e saktë dhe të besueshme të pacientëve të prekur ose të dyshuar si të prekur me Covid.

Në këtë linjë shton se kjo jo vetëm është në dobi të tyre, por edhe në dobi të komunitetit dhe gjithë popullsisë.

Ministria e Shëndetësisë tha zyrtarisht pasditen e djeshme se aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 122 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 19 pacientë janë në terapi intensive, 3 prej të cilëve të intubuar.

Një punë e madhe po bëhet në dy spitalet Covid, ku përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid19, po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse. /a.y/noa.al