Transmetuar më 11-08-2020, 10:00

Drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Vjollca Braho, ka arritur që ta mposhtë koronavirusin, pas një muaji shtrimi në spital.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale ajo ka ndarë eksperiencën e saj si paciente te spitali Covid-2, “Shefqet Ndroqi”.

Braho tregon se vështirësia në frymëmarrje ishte shenja kryesore që dha alarmin që jeta e saj ishte në rrezik.

Po ashtu ajo bën thirrje që të zbatohen tre rregullat e thjeshta duke mbajtur maskën në ambientet e mbyllura, duke ruajtur distancimin social dhe duke larë duart sa më shumë.

Mesazhi i plotë i Brahos

Në spitalin “Shefqet Ndroqi” për 1 muaj në lufte për jetën. Por ja dola…

Të dashur miq, mikesha e të afërm. Ju falenderoj nga zemra secilin nga ju një për një për mijëra sms-të e dërguara në telefonin tim, e telefonatat pafund që interesoheshit çdo ditë për shëndetin tim edhe pse unë nuk mund ti përgjigjesha asnjërit.

Vështirësia në frymëmarrje ishte shenja kryesore që dha alarmin që jeta ime ishte në rrezik.

Në spitalin “Shefqet Ndroqi” për 1 muaj ne luftuam por në fund ja dolëm.

Një falenderim të veçantë me përulje për ekipin e mrekullueshëm të reanimacionit Dr. Albani, Fahriu, Eljana, Arjani, kryeinfermierja e reanimacionit Merita, vajzat si flutura të reanimacionit, kryeinfermiret e përgjithshme Hëna &Leta, sanitare Bukuria e për gjithë personelin e këtij spitali shpreh mirënjohje të pafund për atë punë të shkëlqyer që ju e bënit për të gjithë e jo vetëm për mua duke ju dhënë frymë e jetë çdokujt me shpirt e zemër, ju që më dhatë oksigjenin, më dhatë frymën, më kthyet buzëqeshjen e jetës me dashuri e profesionalizëm! Nuk gjej fjalë për të falenderuar shefen e Reanimacionit profesoreshë Alma Canin (Motra ime) që për ditë e netë të tëra ajo mohoi gjithçka nga jeta e saj duke ndenjur në spital e pa u kthyer as në darkë në shtëpi (këtë se bëri vetëm për mua, por për të gjithë pacientët në reanimacionin që ajo drejton me aq shumë profesionalizëm e dashuri, duke mohuar veten për pacientët). Ne shqiptarët jemi me fat që kemi në ekipet tona mjekë ekselentë që na i ka zili dhe për përgatitjen e tyre edhe si pneumolog edhe si reanimator.

Ne fund një falenderim special për kapitenin e këtij ekipi të bukur profesionalisht që drejtohet nga Profesor Perlat Kapisyzi i cili vinte çdo ditë në mëngjes e në darkë vizitonte të gjithë pacientët vetë me aq shumë kujdes e profesionalizëm.

Unë sot e kam shpirtin plot për atë që Mjekësia Heroike Shqiptare bën për secilin nga ne. Mirënjohje pafund. Falenderoj Ogertën, Ministren e Shëndetësisë që çdo ditë interesohej për ecurinë e sëmundjes time. Jam shumë e emocionuar se heronjtë e Shefqet Ndroqit meritojnë shumë më shumë fjali të spikatura por emocionet e ditës së parë kur del nga spitali janë të mëdha. Ju jam mirënjohëse pafund për gjithçka ju bëtë për mua.

Një këshillë të fundit për ju qe se keni kuptuar akoma se çfarë sëmundje vdekjeprurëse është Covid -19 . Ju lutem zbatoni me përpikmëri tre rregullat e thjeshta duke mbajtur maskën në ambientet e mbyllura, ruani distancimin social dhe lani duart sa me shumë që ta mbani sa më larg këtë sëmundje vdekjeprurëse.

Falenderoj Zotin që në këtë betejë të vështirë më bëri edhe më të fortë.

Me respekt e mirënjohje përjetë Vjollca Braho .

Kjo është Profesoresha Alma Cani Ansary, motra ime, që nuk kam fjalë të përshkruaj atë që ajo ka bërë për mua. /a.y/noa.al