Transmetuar më 11-08-2020, 20:41

Pasi Rusia njoftoi se kishte gati vaksinën kundër koronavirusit, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se po diskutonin me autoritetet e Moskës për zyrtarizim të mundshëm paraprak të vaksinës së aprovuar rishtazi nga Moska.

“Mund të them se jemi në kontakt të ngushtë më autoritetet shëndetësore në Rusi dhe diskutimet po vazhdojnë lidhur me zyrtarizmin e mundshëm paraprak të vaksinës”, deklaroi  Tarik Jasarevic, zëdhënës i OBSH.

Zyrtari theksoi edhe se “zyrtarizimi paraprak i çdo vaksine, përfshin vlerësime rigoroze të të dhënave mbi sigurinë dhe efikasitetit e nevojshëm”.

Më herët sot, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, tha se një vaksinë për luftimin e koronavirusit e zhvilluar në Rusi është e gatshme për përdorim dhe se njëra nga vajzat e tij është vaksinuar.

Putini ka bërë këtë njoftim në një takim të qeverisë ditën e sotme, duke theksuar se vaksina është treguar efikase gjatë testimit dhe mund të krijojë imunitet të qëndrueshëm nga koronavirusi.

Më shumë se 100 vaksina të mundshme janë duke u zhvilluar në botë dhe të paktën 4 nga to janë në fazën finale të testimit në njerëz.

Faza e tretë dhe e fundit e testimit përfshin miliona njerëz dhe procesi zgjat për disa muaj, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Rusia është shteti i parë që ka regjistruar një vaksinë për mbrojtje nga koronavirusi. Por, shkencëtarët në Rusi dhe vende të tjera janë shfaqur skeptikë dhe e kanë vënë në pikëyetje vendimin për të lançuar vaksinën para përfundimit të fazës finale të testimit.

Putin ka insistuar se vaksina ruse ka kaluar të gjitha testet e nevojshme dhe se njëra nga vajzat e tij pas vaksinimit po ndjehet shumë mirë.

"Shpresoj se do të jemi në gjendje të fillojmë me prodhim në masë, në të ardhmen e afërt”, tha Putin.

Qeveria ruse tha se punonjësit shëndetësorë, mësimdhënësit dhe personat që bëjnë pjesë në kategoritë më të rrezikuara, do të kenë përparësi për vaksinim.

Rusia ka regjistruar 860,000 raste me koronavirus – vendi i katërt në botë me numrin më të madh të të infektuarve – dhe më shumë se 14,300 viktima, sipas statistikave të universitetit John Hopkins.