Transmetuar më 12-08-2020, 16:21
Foto ilustruese

Tre pacientë kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, të cilët prej ditësh ishin shtruar në spital, të prekur me koronavirus.

Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 65 vjeçar nga Elbasani dhe dy qytetarë nga Tirana, një 66 vjeçar dhe një 76 vjeçare, tha Dr. Rovena Daja, nga Instituti i Shëndetit Publik.

Ministria e Shëndetësisë njofton se janë rritur testimet për të dyshuar me Covid-19.

Nga 625 testime, kanë rezultuar pozitivë 141 raste të reja, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 51 raste në Tiranë, nga 14 raste Shkodër, Krujë, 12 në Lezhë, 9 në Vlorë, 7 në Durrës, 5 në Lushnje, nga 4 raste në Kurbin, Elbasan, Klos, nga 3 raste Korçë, Divjakë, nga 2 raste, Kavajë, Berat, Kamëz, Gramsh, nga 1 rast në Kukës, Vau i Dejës, Selenicë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 72 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3552, që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen 116 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 20 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar.

Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid19, vijon të ketë rritje të numrit të pacientëve të dyshuar të prekur nga virusi i rrezikshëm, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse. /k.k/noa.al/