Transmetuar më 12-08-2020, 23:07

Një burrë është ndaluar nga policia e Kosovës, pasi akuzohet për ngacmim seksual ndaj dy të miturave.

Mësohet se 43-vjeçari i takoi vajzat në një kafe dhe më pas dyshohet se me makinën e tij i ka dërguar në një hostel.

Sipas burimeve brenda Prokurorisë, i dyshuari kishte paguar një dhomë për vajzat, por ishte futur edhe vetë aty, për qëllime seksuale.

“Janë njoftuar diku në kafiteri në Podujevë, me veturë i ka dërguar në motel, aty ua kishte paguar një dhomë, në të cilën kishte hyrë edhe vetë, për qëllime seksuale”, kanë thënë nga Prokuroria.

Pas ekzaminimeve mjekësore, është konstatuar se i dyshuari dhe të miturat nuk kanë kryer marrëdhënie seksuale, por ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti si “Sulm seksual”.

“Janë bërë ekzaminimet, nuk kemi të bëjmë me dhunim, por me sulm seksual. I ka prekur, i ka ngacmuar, por nuk ka ndodhur akti seksual. Vepra ekziston, vajzat janë shumë të vogla, i dyshuari është i martuar. E kemi ndaluar personin, e kemi bërë aktvendimin, po presim ta deponojmë nesër në mëngjes për Gjykatë”, kanë thënë burime brenda Prokurorisë për Express.

Sipas të njëjtave burime, të miturat ishin raportuar të zhdukura nga familjarët.

Detaje për këtë rast kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës. Burime të gazetës brenda policisë kanë thënë se të miturat ishin raportuar të zhdukura më datën 4 gusht, ndërkaq një ditë më pas ishin kthyer në shtëpitë e tyre.

“Më 4 gusht janë raportuar të zhdukura, të nesërmen janë kthyer në shtëpi. Bazuar në deklaratat e tyre, Policia ka ndërmarrë masa në koordinim me Prokurorinë. Në bazë të këtyre informatave, është iniciuar rasti dhe dje (të martën) është identifikuar i dyshuari”, kanë thënë nga Policia.

Ndërkaq, policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar në orët e mbrëmjes të së martës. Sipas raportin të policisë, ai është arrestuar nën dyshimin se ka kryer marrëdhënie seksuale me dy vajza të mitura.

“Me datën 11.08.2020 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se dyshohet të kryer marrëdhënie seksuale me dy viktimat e mitura femra kosovare. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, kurse viktimat do të dërgohen në ekzaminim mjekësor”, deklarohet në raportin e policisë.