Transmetuar më 13-08-2020, 21:06

Mjekët e Task-Forcës së Emergjencave Civile Italiane, folën sot para largimit nga Shqipëria ku qëndruan disa ditë për të parë nga afër situatën në spitalet Covid të Tiranës.

Ata vlerësuan se në spitalet shqiptare ishte nevoja e një niveli të duhur organizativ për trajtimin e rasteve me Covid-19.

Gianpiero D’offizi, nga Instituti për Sëmundjet Infektive “Lazzaro Spallanzani” në Romë, pohoi kështu se në spitalet Covid në Shqipëri nuk ka një nivel të pranueshëm organizativ për të trajtuar të sëmurët me COVID-19.

“Nevojat konkrete, sipas meje kanë të bëjnë me njohjen dhe interpretimin e nivelit organizativ që duhet dhe korrespondon me rëndësinë e sëmundjes që po përballemi”, tha mjeku D’Offizi duke folur me Euronews. 

Kurse anëtari tjetër i Task-Forcës italiane, Gaetano Di Pietro, rekomandoi modelin italian për spitalet shqiptare në trajtimin e rasteve me Covid-19.

“Ne propozojmë modelin italian, sepse e kemi vënë në përdorim, e kemi testuar dhe duhet të them se i ka dhënë rezultatet e tij”, tha ai.

Situata në dy spitalet Covid në Tiranë duket të jetë shqetësuese. Raportimet mediatike dhe denoncimet qytetare nxjerrin si shqetësim të parë, faktin se pacientëve, qoftë ata në reanimacion, por edhe të tjerët e infektuar nuk lejohen të flasin me familjet. Ky kufizim shihet si mungesë transparence.

Po ashtu është denoncuar orët e fundit se të sëmurëve nuk u bëhet trajtimi i nevojshëm.

Disa vdekje të ndodhura shihen si të dyshimta. Një djalë i ri që bëri vetëvrasje në spitalin Covid2 ku ishte i shtruar me koronavirus, tronditi opinionin publik dhe la pas paqartësi dhe dyshime të forta për atë që po ndodh brenda dy spitaleve Covid ku asnjë media deri më sot nuk është lejuar as të bëjë filmime.

Ndërkohë, rrjetet sociale janë mbushur me reklama të spitaleve private turke dhe ndërmjetësve të tyre në Shqipëri. Ata ofrojnë kurim në Stamboll të të infektuarve me Covid19, por kostoja shkon deri në 60 mijë euro. /noa.al/