Transmetuar më 21-08-2020, 17:19

Nga dy spitalet Covid në Tiranë, vijnë sot shifra shqetësuese për numrin e të infektuarve që kërkojnë kujdes spitalor.

Raportohet se 24 orët e fundit ka pasur disa dhjetëra të shtruar në reanimacion. Aktualisht janë 137 të shtruar nga 101 që ishin një ditë më parë. Ky shtim shifrash bëhet edhe më shqetësues pasi raportohet se 24 orët e fundit u shëruan 110 qytetarë, disa prej të cilëve lanë spitalet.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se mes 137 të shtruarve, si asnjë herë më parë gjenden 27 persona nën terapi intensive e mes tyre, shtatë të intubuar, me frymëmarrje të drejtuar.

Po ashtu janë edhe 28 pacientë të tjerë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.

Ndërsa vijojnë të trajtohen edhe disa dhjetëra pacientë të dyshuar për COVID-19, sipas protokolleve përkatëse.

Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik, pohoi se gjatë 24 orëve të fundit nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen dy pacientë, një 61 vjeçar nga Korça dhe një 83 vjeçar nga Mirdita me sëmundje bashkëshoqëruese. /noa.al/