Transmetuar më 26-08-2020, 13:10

OPINION nga Mentor Kikia

Ne nuk kemi thjeshtë nevojë për të ndryshuar një ekip qeverisës me një tjetër, që supozohet të jetë më i mirë. Dhe “më i miri” këtu është ngushtuar shumë, duke u konsideruar si i tillë ai që vjedh më pak nga paratë që qytetarët paguajnë përmes taksave të tyre.

Pra, ne nuk kemi nevojë të bëjmë vetëm një rrotacion. Ne kemi nevojë për të bëjmë një përmbysje në mentalitetin e qeverisjes dhe të bërit politikë.

Korrupsioni është sfida më e madhe me të cilën shoqëria jonë përballet. Ai është bërë një “vrimë e zezë” që përpin fondet publike, përfshi edhe fondet për të luftuar korrupsionin, që jepen nga BE apo donantorë të tjerë. Premtimet për ta luftuar atë është vështirë të mbahen, pasi korrupsioni tani bëhet në mënyrë të ligjshme. Një grusht njerëzish kanë shtënë në dorë vendimmarrjen dhe paranë, dhe ligjet i bëjnë në shërbim të interesave të tyre. Pra, jemi në kushtet kur është korruptuar edhe Legjislativi, i cili nuk përfundon asnjëherë në bankën e të akuzuarve.

Kanë nisur ndërkohë hetimet e para ndaj “të paprekshmëve”, por ata janë të gjithë njerëz të botës së krimit. Ndërsa nuk i është trokitur në derë, për të pyetur se si e vuri pasurinë, asnjë zyrtari apo ish zyrtari. Oligarkët nuk janë anëtarë partie, ata janë gjithmonë me qeverinë dhe asnjë qeveri nuk e refuzon ofertën e tyre.

Zgjedhjet e ardhëshme do të jenë shumë të rëndësishme. Jo pse kështu mendon Basha apo Rama, por sepse shqiptarëve do tu duhet të marrin vendime të rëndësishme, ndryshe në zgjedhjet pasardhëse nuk do të ketë kush të votojë tjetër veç nëpunësve të administratës.

/NOA.al