Transmetuar më 26-08-2020, 18:49

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në muajin qershor të këtij viti kanë qarkulluar jashtë bankave 317,2 miliard lekë.

Paraja informale ka  pësuar një “boom” pas rihapjes së ekonomisë në maj, krahasuar më muajt e parë të vitit.

Rezulton se  është niveli më i lartë i parasë që qarkullon "CASH" në Shqipëri gjatë 10 viteve të fundit.

Ndërkohë nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë vërehet po ashtu një rritje me rreth 39 miliard lekë më shumë.

Përdorimi i parasë “cash” në vend është kthyer në një shqetësim për institucionet financiare, pasi kjo ndikon direkt në rritjen ekonomike. Bizneset e vogla por edhe qytetarët shqiptarë përdorin në masë paranë “cash” për pagesat e shërbimeve të ndryshme.

Kjo detyroi Ministrinë e Financave që të vendosë vitin e kaluar detyrimin për hapjen e llogarive bankare nga bizneset e vogla, të cilat realizojnë mbi 90 të vëllimit vjetor të pagesave me para në dorë.

Përdorimi i parasë jashtë sistemit bankar është tregues i informalitetit të lartë në një ekonomi dhe pavarësisht aksioneve të ndërmarra në këtë drejtim nuk janë marrë rezultate pozitive.

Sipas eksperteve ekonomia gri është mbi 30 %. Ndërkohë për të formalizuar ekonominë qeveria nisi procesin e fiskalizimit ose faturimi online.

Por për shkak të situatës së krijuar nga pandemia kjo nismë u shty për vitin tjetër.

Në shtator të këtij viti pritet të miratohet amnistia penale dhe fiskale duke iu dhënë mundësi bizneseve por edhe individëve që të deklarojnë të gjitha pasuritë që ata zotërojnë, edhe nëse i kanë në mënyrë informale. Mjafton që ato të mos jenë të ardhura nga aktivitete kriminale, apo korrupsioni.

/NOA.al