Erdogan i prish planet Greqisë: Turqia do të marrë gjithçka që i takon në Mesdhe, Egje dhe në Detin e Zi
Transmetuar më 26-08-2020, 19:36

Turqia do të marrë gjithçka që i takon në Mesdhe si dhe në Egje dhe në Detin e Zi, deklaroi sot presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Sipas,  Anadolu Agency, teksa tensionet me Greqinë janë të larta, Erdogan është shprehur:

“Turqia nuk synon tokat, sovranitetin ose interesat e një vendi tjetër, por kurrë nuk do të bëjë lëshime për atë që i takon me të drejtë.”

Erdogan foli në një event, ku shënohej 949-vjetori i Betejës së Malazgirt në Mus të Turqisë lindore.

Turqia kërkon nga të gjithë të shmangin bërjen e gabimeve që mund të çojnë në shkatërrimin e tyre, shtoi Erdogan, duke folur në mes të mosmarrëveshjeve me Greqinë lidhur me të drejtat e Turqisë mbi territorin detar dhe burimet e energjisë.

“Madje edhe sot trashëgimia bizantine kryen padrejtësi dhe lëvizje piratike duke llogaritur në mbështetjen e evropianëve, gjë që tregon se ata nuk kanë arritur të mësojnë nga historia”, tha Erdogan.

Komentet pasojnë zbulimin më të madh të gazit natyror të Turqisë në Detin e Zi dhe konfliktin e vazhdueshëm në Mesdheun Lindor me Greqinë.

Erdogan njoftoi të premten se Turqia ka gjetur rreth 320 miliardë metra kub rezerva të gazit natyror pasi anija e saj gjurmuese Fatih filloi punën më 20 korrik në brigjet e Detit të Zi.

Gjatë një takimi të martën me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas i cili kërkonte të ndërmjetësojë në mosmarrëveshjet rreth Mesdheut, ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu shprehu gatishmëri që të angazhohet për dialog, por gjithashtu kundërshtoi shkeljen e ligjeve nga ana greke dhe ngritjen e tensioneve në rajon.

Turqia ka kundërshtuar vazhdimisht përpjekjet e Greqisë për të shpallur një zonë ekskluzive ekonomike bazuar në ishujt e vegjël pranë brigjeve turke, duke shkelur interesat e Turqisë, vendit me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe.

Para vizitës së Maas, Turqia dhe më vonë Greqia dërguan alarme kontradiktore për stërvitje ushtarake në Mesdhe.

Ankaraja gjithashtu ka thënë se burimet e energjisë pranë Qipros duhet të ndahen në mënyrë të drejtë midis Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), e cila i ka dhënë licencë kompanisë shtetërore turke të naftës Turkish Petroleum dhe administratës qipriote greke të Qipros Jugore.

Erdogan ka thënë se e vetmja zgjidhje për mosmarrëveshjet qëndron përmes dialogut dhe bisedimeve, duke i kërkuar Athinës të respektojë të drejtat e Turqisë./NOA.al