Transmetuar më 27-08-2020, 16:54

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, prej disa ditësh ndodhet me pushime në jugun e vendit tonë.

Ajo sipas mediave ka vizituar edhe resortin në Palasë të Vlorës, që është në pronësi të biznesmenit Samir Mane. Nuk dihet nëse pas vizitës Kim zgjodhi pikërisht këtë resort, për të pushuar këtë javë.

Eskorta e ambasadores katër ditë më parë është parkuar në një nga vilat e këtij resorti, e cila njihet si vila ku pronari i resortit, Samir Mane, pret miqtë e tij, politikanë, biznesmenë, drejtues mediash apo edhe artistë, ndër më të njohurit në vend.

Samir Mane konsiderohet gjerësisht edhe si njeriu më i pasur në vendin tonë.

Në ambjente të zgjedhura të restortit të tij, e njohur si "shtëpia e miqve", mblidhen kryesisht më shumë biznesmenë, ose të njohur ndryshe nga opozita si "oligarkë".

Nuk dihet në fakt se çfarë bindjesh politike kanë biznesmenët në fjalë, apo se cilët prej tyre janë pasuruar ose kanë përfituar gjatë viteve që ka qeverisur Rama dhe cilët janë varfëruar, ose janë diskriminuar, pasi opozita në raste të rralla përmend emra.

Opozita, megjithatë, akuzon prej vitesh qeverinë dhe "oligarkët" e lidhur me të se po përfitojnë përmes korrupsionit në kurriz të shqiptarëve, sikurse akuzon kryeministrin se ka kapur Reformën në Drejtësi.

Ambasada Amerikane, gjithashtu ka qenë prej disa vitesh më tepër e angazhuar për të implementuar Reformën në Drejtësi, me qëllim goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionin e lartë shtetëror, në vendin tonë.

Shprehja e dalë nga ambasada e SHBA se Reforma në Drejtësi ka si qëllim të kapë "peshqit e mëdhenj",  u bë po aq e njohur në vendin tonë.

Por ambasadorja Yuri Kim është fotografuar së fundmi, duke udhëtuar në det me jaht, nën shoqërinë e Samir Manes, dhe dy personave të tjerë, veç drejtuesit të mjetit luksoz.

Kalendari Enciklopedik Shqipëtar, ka ndarë foton e Kim në jaht, duke e përcjellë atë me mesazhin:

"Pashë nje gonxhe që u vyshk para se të çelte. E “kapën” Oligarkët dhe ambasadoren më duket".

/NOA.al