Transmetuar më 01-09-2020, 07:21

Partia e presidentit Milo Gjukanoviç, në pushtet që prej tre dekadash në Malin e Zi, do të kalojë në opozitë.

Udhëheqësit e koalicioneve “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zezë në të bardhë”, përkatësisht Zdravko Krivokapiç, Aleksa Beçiç dhe Dritan Abazoviç, të cilët pritet të formojnë Qeverinë e ardhshme të Malit të Zi, kanë zhvilluar një takim.

Ata kanë rënë dakord për disa parime mbi të cilat do të bazohet qeveria e ardhshme. “Parimi i parë që është rënë dakord është që qeveria e re do të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare.

Së dyti, qeveria e re demokratike do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që Mali i Zi të bashkohet me Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

Së treti, qeveria e re të jetë e përbërë nga personat që janë ekspert në fusha të veçanta, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, kombëtare ose ndonjë karakteristikë tjetër.

Së katërti, qeveria e re do të angazhohet plotësisht për respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjit, me ndryshime, shtesa dhe rishikimi i të gjitha ligjeve dhe akteve nënligjore diskriminuese, përfshirë Ligjin për Lirinë e Fesë”, – bëhet e ditur në një deklaratë nga ky takim.

Tre liderët thanë se, përveç kësaj, ata do tu shtrijnë duart përfaqësuesve të popujve pakicë me dëshirën për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të bukur dhe të prosperuar të Malit të Zi.

Sipas mediave malazeze shqiptari Dritan Abazoviç, 35 vjeç i cili udhëheq koalicionin “E zezë në të bardhë” është para sfidës më të madhe politike në karrierën e tij të deritanishme.

Veprimet e tij në të ardhmen e afërt do të përcaktojnë në masë të madhe edhe ardhmërinë politike të tij personalisht, por në situatën aktuale edhe të shtetit të Malit të Zi.

“Mos dyshoni, ne do ta ruajmë Malin e Zi civil dhe evropian! Sa mirë ndjehesh kur zgjohesh në Mal të Zi të lirë! Faleminderit shumë të gjithëve për mbështetjen tuaj! Na vjen keq që nuk mund t’i përgjigjem mesazheve dhe thirrjeve të panumërta për mbështetjen që marr çdo moment. Të gjithë kemi marrë pjesë në ndryshime historike së bashku dhe kjo është fitorja jonë së bashku. Treguam se Mali i Zi mund ta bëjë atë !” shkruan Abazoviç në statusin e tij në Facebook.

Ka zëra se Abazoviç i cili ka dhe çelësin e krijimit të qeverisë së opozitës proserbe, mund të kërkojë të bëhet kryeministri i ardhshëm i Malit të Zi.