Transmetuar më 01-09-2020, 08:36

Pas shumë ditëve të nxehta, shtatori ka nisur me reshje shiu në Tiranë dhe në pjesën më të madhe të territorit.

Vendi ynë sot pritet të mbizotërohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash të cilat do të sjellin mot të qëndrueshëm, por që herë pas here do të ketë reshje shiu, kryesisht në zonat malore.

Sipas Meteoalb, sot temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë, ku do të variojnë: në zonat malore, nga 16º në 24ºC, në zonat e ulëta nga 21ºC në 32ºC dhe në zonat bregdetare nga 24°C në 33ºC.

Era do të fryejë në drejtim veriperëndimor ndërsa forca e valëzimit në det do të jetë 5 ballë.

Në Kosovë moti sot do të jetë i alternuar me kthjellime dhe vranësira të cilat do të sjellin mot të qëndrueshëm por që herë pas here do të ketë reshje të izoluara. Sot temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë ku do të variojnë: në zonat malore nga 16ºC deri në 32ºC dhe në zonat e ulëta nga 21ºC në 33ºC.

Moti për 5 ditët në vijim

Shërbimi Metereologjik Ushtarak informon se java nis me ditën e Hënë me mot të kthjellët në të gjithë territorin, por gjithashtu pritet të jetë dhe një ndër ditët më të nxehta të këtij muaji.

Për shkak të masave ajrore me origjinë nga Afrika e Veriut temperaturat pritet të arrijnë deri në 35°C në relievet malore e deri në 39°C në ato të ulta.

Gjatë ditës së Martë kushtet meteorologjike marrin një kthesë të menjëhershme. Deri në orët e mesditës moti pritet të jetë me vranësira mesatare deri të dendura dhe shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri dhe mesatar në formën e shtrëngatave. Pas orëve të pasdites përsëri kthjellët. Për shkak të reshjeve të shiut dhe masave ajrore me origjinë veriperëndimore parashikohet dhe rënie e ndjeshme e temperaturave në vlerat maksimale.

Nga dita e Mërkurë deri dhe të Premten parashikohet stabilizim i kushteve atmosferike ndërsa moti do të jetë kryesisht i kthjellët si dhe vranësira kalimtare përgjatë relieveve malore shoqëruar me reshje shiu të dobëta dhe lokale.

/NOA.al