Transmetuar më 02-09-2020, 13:21

Gjatë ditës së sotme, në media u raportua se tre futbollistë të kombëtares kanë rezultuar pozitiv ndaj testit të Covid-19.

Bëhet fjalë për Ardian Ismajlin, Hysen Memollën dhe Ylber Ramadanin.

Këtyre zërave iu është përgjigjur Federata Shqiptare e Futbollit, duke publikuar përgjigjet e tyre, ku kanë rezultuar negativ ndaj tamponit për koronavirusin.

“Federata Shqiptare e Futbollit përgënjeshtron lajmin e rremë të shpërndarë nga tre media se tre futbollistë të Kombëtares shqiptare kane rezultuar pozitiv në testin e Covid. Ky lajm është i pavërtetë dhe tendencioz. Asnjë lojtar i kombëtares, pjesëtar i stafit apo anëtar i delegacionit nuk ka rezultuar pozitiv. Bashkëngjitur edhe testet e futbollistëve të përmendur. I bëjmë thirrje madias te distancohen nga këto lajme të pavërteta dhe nga kjo praktikë aspak profesionale”, thotë FSHF.

Paraditen e sotme FSHF bëri me dije se kombëtarja shqiptare ka zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore para nisjes për në Bjellorusi.

Skuadra dhe i gjithë delegacioni kanë marrë po sot edhe përgjigjet e tamponëve të kryer një ditë më parë dhe të gjithë kane rezultuar negativë.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se nuk do të udhëtojnë me ekipin lojtarët Hysen Memolla, Ylber Ramadani dhe Ardian Ismajli.

“Memolla e Ismajli kanë ardhur të dëmtuar në grumbullim dhe pas testeve mjekësore u konkludua se nuk munden të rikuperohen. Ndërsa Ramadani ka pësuar një dëmtim në stërvitje. Të tre këta lojtarë do të qëndrojnë në Shqipëri e do vazhdojnë terapi dhe stërvitje në mënyrë të diferencuar në mënyrë që të mund te rikuperohen për ndeshjen e dytë kundër Lituanisë”, tha në njoftimin e parë FSHF. /a.y/noa.al